Hetimet më të fundit në shtëpinë e Juventusit kanë turbulluar jo pak ambientin bardhezi. Si të mos mjaftonin problemet në fushë, të tjera janë hapur edhe nëpër zyra.
Megjithatë, lojtarët mundohen ta kalojnë në qetësi edhe këtë çështje të re. Madje, “peshat e rënda” të Juventusit e kanë shtensionuar situatën.
Ka qenë Kielini, i cili duke folur për “Sky Sport”, ka theksuar se edhe në këtë rast gjërat po hiperbolizohen, diçka e zakontë, sipas tij, kur flitet për bardhezinjtë.
“Nuk duhet të humbasim shumë kohë me hetimet, le t’ia lëmë kohës për të parë se çfarë do të dalë, nuk është më diçka e re për ne, jemi mësuar.
Sikurse jemi mësuar nga ana tjetër me faktin se sa herë që flitet për Juventusin, gjërat zmadhohen”, ka thënë Kielini.
MOMENTI DELIKAT – Kielini është ndalur natyrisht edhe tek arritjet sportive të Juves dhe momentit delikat në këtë sezon në Serinë A.
“Kemi folur të martën dhe kemi qenë të qartë me të gjithë. Nuk ka nevojë të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme, sepse ne thjesht duhet të jemi të përgjegjshëm për t’i bërë punët si duhet dhe me thjeshtësi.
Ne kemi detyrime ndaj klubit tonë, që na ka dhënë shumë dhe tani duhet t’i kthejmë diçka në këmbim.
Nëse do të dimë të vuajmë të gjithë së bashku, të qëndrojmë të gjithë së bashku jam i bindur se do të dalim më të fortë nga kjo situatë dhe do të arrijmë të bëjmë gjëra të bukura”.
SHEVÇENKO – Juventusi do të presë Xhenoan në Torino, një mundësi për t’u përballur me një ish-rival në fushë si Andrij Shevçenko tashmë trajneri i kuqebluve.
“Do të jetë bukur të sfidojmë Shevçenkon, por në fund të ditës e mundim Xhenoan”, ka thënë mbrojtësi i bardhezinjve.
Diskutime rreth kësaj post