Në emisionin e transmetuar mbrëmjen e djeshme, kamera e fshehtë e emisionit “Stop” në Tv Klan solli situatën e kopshteve në Sarandë. Një qytetar kërkonte të regjistronte djalin 3-vjeçar në kopsht, por është përballur me kushtet skandaloze.
Fëmijë të vegjël flenë në shezlongë të përshtatur si krevatë. Në kopshtin “Soros” numër 2, vetë personeli pranon se fëmijët flenë, luajnë e hanë në të njëjtin ambient dhe nuk kanë as vend dhe as krevatë.
E njëjta situatë edhe në kopshtin numër 4, ku nuk kanë ardhur akoma krevatët për fëmijët.
Ndërkohë, ditën e sotme, Thoma Nika, zëdhënës i bashkisë së Sarandës, tha për emisionin “Stop” se nuk është problem krevatësh, por hapësire, ndaj po shihet për ambiente të tjera me qira. Ai tha, se kjo do të parashikohet me buxhetin e vitit të ardhshëm.
Thoma Nika: Jam Thomai nga zyra e shtypit të Bashkisë së Sarandës. Unë doja të ju komunikoja paraprakisht që ne kemi vlerësuar dhe padyshim një ndër përgjegjësitë e Bashkisë, situata që ju keni transmetuar, ne kemi patur një investim kohët e fundit, në kopshtin numër 1 të qytetit tonë në krevate të reja, ndërsa në kopshtin numër 2 dhe numër 4, ku është edhe objekti i transmetimit tuaj të emisionit, ku janë dy institucionet e arsimit parashkollor ku fondacioni Soros me projektin e vet dhe ajo situatë atje, është jo për mungesë krevatesh, por për mungesë të hapësirave të nevojshme. Ne do të marrim me qira hapësira të tjera, në mënyrë që kjo mbingarkesë që edhe ju e keni konstatuar, të zbutet dhe të kalohet në normalitet të plotë. Ne jemi duke e zgjidhur përfundimisht këtë problem dhe me arsimin parashkollor, pra me kopshtet dhe në projekt-buxhetin që jemi do të vëmë dorën e fundit, do të planifikohet edhe zgjidhja e këtij problemi, ato nuk janë tërësisht të Bashkisë, ato janë kopshte të fondacionit “Soros”, ne e kemi filluar siç ju thashë investimin tek kopshti numër 1 dhe do të vijojmë të shtrihemi në të gjitha kopshtet dhe institucionet e arsimit parashkollor që ne kemi në këtë qytet./Tv Klan
Video:
Diskutime rreth kësaj post