Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se vendet anëtare të aleancës ranë dakord të vazhdojnë praninë e tyre në Ballkan ku kohët e fundit janë parë tensione dhe ndërhyrje nga aktorë të jashtëm, që duan të dëmtojnë arritjet në rajon.
Në përmbyllje të takimit dyditësh të ministrave të Jashtëm të 30 vendeve anëtare të NATO-s, që u mbajt në Rigë të Letonisë, ai tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka bërë një rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve të 90-ta.
”Por kohët e fundit kemi parë rritje tensionesh përfshirë Kosovën si dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, me retorikë më agresive, reforma të ngecura dhe aktorë të huaj që punojnë për të dëmtuar përparimin”, tha ai, duke theksuar se NATO-ja do të vazhdojë të nxisë qëndrueshmërinë, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon.
“Në ramë dakord për rëndësinë e pranisë sonë, përfshirë misionin tonë të KFOR-it në Kosovë dhe zyrat tona në Sarajevë dhe në Beograd”, tha sekretari Stolteberg, duke nënvizuar se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian mbetet thelbësorë.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe për të mbështetur reformat”, theksoi ai.
Borrell: Kosova dhe Serbia duhet të rifillojnë bisedimet
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili mori pjesë në debatin mbi Ballkanin Perëndimor në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, tha se rajoni është me rëndësi të jashtë zakonshme për bllokun.
Ai shprehu shqetësimin për situatën në Bosnjë e Hercegovinë ku “ditëve të fundit kemi parë tensione dhe përpjekje për të zhbërë 26 vjet paqeje dhe qëndrueshmërie”.
Duke folur për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, ai tha se “kemi pasur shumë tensione në muajt e fundit. Situata është më e qetë së fundmi, por prapë ka nevojë të rikthehemi në tryezën e bisedimeve, të rifillojnë bisedimet, sepse nuk ka rrugë tjetër për ta stabilizuar situatën”.
Zoti Borrell muajin e kaluar shfaqi shpresën që të organizojë një takim të ri të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Xhaçka: Ballkani Perëndimor, të përfshihet në konceptin strategjik të NATO-s.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, nënvizoi rëndësinë e veçantë të integrimit të plotë euroatlantik të rajonit ndërsa bëri thirrje që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Konceptit Strategjik të NATO-s.
“Rajoni i detyrohet shumë ndërhyrjes së NATO-s Por sot ka ardhur koha që të shkohet një hap më përpara duke e përfshirë Ballkanin Perëndimor në Konceptin Strategjik 2022, duke çuar njëkohësisht një sinjal të fortë kundër të gjithë atyre fuqive që po përpiqen të sabotojnë integrimin euroatlantik, duke nxitur dasi e destabilitet përmes taktikave hibride”, tha mes të tjerash ministrja Xhaçka./voa
Diskutime rreth kësaj post