Holodomori është një akt gjenocidi ndaj kombit ukrainas, i zbatuar nga udhëheqja sovjetike e kryesuar nga Jozef Stalini përmes një urie masive të krijuar artificialisht, me qëllim shfarosjen e ukrainasve, për të eliminuar përfundimisht rezistencën e tyre ndaj regjimit sovjetik dhe përpjekjet e tyre për të ndërtuar një shtet ukrainas të pavarur nga Moska.
Holodomori: shkaqet dhe mekanizmat
Holodomori në Ukrainë, në vitet 1932-1933, nuk ishte një fenomen i rastësishëm me origjinë natyrore apo sociale, siç pretenduan historianët sovjetikë dhe më vonë prorusë. “Vdekja përmes urisë” ishte rezultat i përdorimit të qëllimshëm nga qeveria totalitare të terrorit nga uria, pra përmes gjenocidit. Holodomori ishte një ndëshkim për ukrainasit për rezistencën e tyre ndaj kolektivizimit në sektorin e bujqësisë dhe refuzimi për të qenë nën sundimin rus. Ky dënim u krye duke shkatërruar kulturën, gjuhën, traditat ukrainase. Me urinë e organizuar artificialisht, qeveria sovjetike u përpoq të zgjidhte të ashtuquajturin “problem ukrainas” me urdhrin e Stalinit.
Duke mos dashur të humbiste Ukrainën, regjimi sovjetik krijoi një plan për të shfarosur një pjesë të kombit ukrainas, i cili u maskua si plan për t’i dorëzuar bukën shtetit. Bëhej fjalë për tërheqjen e plotë të të gjitha rezervave të drithit, e më pas konfiskimin e ushqimeve dhe pasurive të tjera si formë dënimi për mospërmbushjen e planit të dorëzimit të bukës. Duke e kthyer Ukrainën në një territor të urisë masive, regjimi bllokoi të gjitha rrugët e shpëtimit. U bë izolimi i të uriturve. Për këtë qëllim, u zbatua regjimi i “dërrasave të zeza” dhe ndalimi i njerëzve të uritur që të dilnin jashtë Ukrainës. Fermat kolektive dhe fshatrat e listuar në “dërrasat e zeza”, rrethoheshin nga repartet e policisë dhe shërbimeve speciale sovjetike. Nga atje tërhiqnin çdo lloj rezerve ushqimore. Tregtia dhe importi i çdo malli ishte i ndaluar. 22.4 milionë njerëz u bllokuan fizikisht brenda territorit të Holodomorit.
Një komponent tjetër i gjenocidit ishte bllokimi i qëllimshëm i informacionit për urinë. Në janar të vitit 1933, autoritetet sovjetike deklaruan se nuk kishte zi buke në vend. Regjimi stalinist refuzoi ndihmën e huaj.
Pasojat e Holodomorit
Në Ukrainë, 17 njerëz vdisnin nga uria çdo minutë, 1400 çdo orë, më shumë se 30 mijë çdo ditë. Çështja e numrit të humbjeve të jetëve njerëzore në Ukrainë nga Holodomori mbetet ende e hapur.
Numri i vërtet i të vdekurve është mbajtur i fshehtë, siç konfirmohet edhe nga një urdhër i lëshuar nga autoritetet për të mos regjistruar vdekjet e fëmijëve nën moshën 1 vjeç. Ukrainasit nga 6 muaj deri në moshën 17 vjeç përbënin rreth gjysmën e të gjitha viktimave të Holodomorit. Si pasojë, jetëgjatësia mesatare e ukrainasve në vitin 1933 ishte 7.3 vjet për burrat dhe 10.9 vjet për gratë. Në të gjithë historinë e njerëzimit, tregues të tillë nuk janë regjistruar asgjëkund.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të Kievit në çështjen penale për faktin e gjenocidit në Ukrainë, në vitet 1932-1933, të vitit 2010, është përcaktuar se gjatë viteve 1932-1933, regjimi komunist stalinist organizoi qëllimisht gjenocidin te një pjesë e grupit kombëtar ukrainas, si rezultat i të cilit u shfarosën 3.941.000 njerëz.
Diskutime rreth kësaj post