Vazhdon të ndihet mungesa e procesorëve dhe gjysmëpërçuesve në treg. Një krizë që prek kryesisht sektorin e teknologjisë së konsumatorit, përfshirë smartfonët.
Dhe kjo është një nga arsyet kryesore të rënies së shitjeve të telefonave celularë në tremujorin e tretë të 2021. Nga korriku deri në shtator, 342 milionë njësi u shitën globalisht, duke shkaktuar një rënie prej 6,8% krahasuar me tremujorët e mëparshëm.
Sipas sondazhit më të fundit nga kompania analitike, Gartner, kompania Samsung është ende në krye të renditjes së markave që kanë shitur më shumë, pavarësisht nga të dhënat në rënie. Apple qëndron ende mirë duke rimarrë pozicionin e dytë ndaj Xiaomi, që ndodhet e treta.
Konkretisht, Samsung shiti pak më shumë se 69 milionë pajisje, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2020 shifra ishte mbi 80 milionë.
Apple është pranë 49 milionë njësive, një rezultat i mirë krahasuar me 40 milionë në tremujorin e tretë të një viti më parë.
Xiaomi, me 44 milionë njësi, tregon një rritje të lehtë. Vivo shiti 36 milionë dhe Oppo 33.6 milionë njësi.
Për krizën e procesorëve dhe gjysmëpërçuesve, Gartner parashikon disponueshmëri më të madhe brenda gjashtë muajve të parë të vitit 2022, megjithëse situata duhet të kthehet në nivelet para pandemisë vetëm në vitin 2023.
Diskutime rreth kësaj post