Magdalena Andersson, e cila dha dorëheqjen shtatë orë pasi u zgjodh si kryeministrja e parë femër e Suedisë javën e kaluar, është përzgjedhur sërish për postin e lartë.
Ajo doli triumfuese pas një tjetër votimi në parlamentin suedez të hënën. Javën e kaluar, vetëm disa orë pasi u zgjodh, propozimi i buxhetit të Andersson u rrëzua në parlament dhe ajo humbi mbështetjen e Partisë së Gjelbër nga koalicioni i saj.
Një qeveri, së cilës iu deshën javë të tëra negociatash për t’u formuar, u rrëzua shpejt. Kryetari i parlamentit suedez (Riksdag), Andreas Norlén, tha se ai “i vjen keq” për atë që ndodhi të mërkurën, dhe pas sondazhit të liderëve të partive edhe një herë ai arriti në përfundimin se votat do të ishin sërish aty për të zgjedhur Andersson.
Tre partitë që e sollën atë në pushtet më herët, treguan se do ta lejojnë sërish të zgjidhet. Kështu doli të ishte të hënën. Këtë herë ajo do të kryesojë një qeveri të pakicës njëpartiake, e përbërë vetëm nga socialdemokratët e saj.
Edhe pse ajo u zgjodh për disa orë në këtë detyrë javën e kaluar me një diferencë të vetme votash, përpara se përfundimisht të jepte dorëheqjen, ajo nuk kishte marrë zyrtarisht detyrën.
Andersson, si udhëheqëse e socialdemokratëve, kishte arritur të siguronte mjaftueshëm mbështetje në një marrëveshje koalicioni për të siguruar votat në parlament, për ofertën e saj për kryeministre.
Marrëveshja e minutës së fundit ishte falë një marrëveshjeje me Partinë e Majtë, për rritjen e pensioneve. Kjo megjithatë bëri që Partia liberale e Qendrës, të refuzonte buxhetin e saj, pa bllokuar hyrjen e saj në pushtet. Atë pasdite parlamenti miratoi një buxhet nga opozita e djathtë, i cili u përgatit për herë të parë me Demokratët e Suedisë së ekstremit të djathtë.
Partneri i koalicionit të socialdemokratëve, të Gjelbrit, refuzoi të qeverisë me një buxhet të formuar në partneritet me të djathtën ekstreme, kështu që qeveria e saj në fakt u shemb.
“Ekziston një praktikë kushtetuese që një qeveri koalicioni jep dorëheqjen, kur një parti largohet. Unë nuk dua të drejtoj një qeveri, legjitimiteti i së cilës vihet në dyshim”, shpjegoi Andersson në një konferencë shtypi.
“Kjo është një situatë historike, por unë pres që Andersson të rizgjedhet kryeministre të hënën”, tha Anders Sannerstedt, profesor i shkencave politike në Universitetin e Lund.
“Ajo tani do të drejtojë një qeveri njëpartiake. Pra, jo më surpriza. Nuk ka më krizë, të paktën tani për tani”, vijoi më tej ai.
Pasardhja në krye të Suedisë vjen më pak se një vit para zgjedhjeve parlamentare të shtatorit 2022, të cilat pritet të jenë të afërta. Me rreth 25% në sondazhe, Partia Socialdemokrate është ende partia më e madhe politike në Suedi, por është afër niveleve më të ulëta historike.
Ngjitja e Magdalena Andersson në postin e lartë në politikë, shënon një moment historik në Suedi, e cila edhe pse për dekada është parë si një nga vendet më progresive në Evropë, nuk ka pasur kurrë një kryeministre femër.
Në një fjalim në parlament, udhëheqësja e Partisë së Qendrës, Annie Loof, tha se një kryeministre femër “do të thotë shumë për shumë vajza dhe gra, të shohësh këtë çati xhami të copëtuar. Jam krenar që (Partia e Qendrës) është përfshirë dhe e bën të mundur këtë”. Partia e saj abstenon nga votimi pro ose kundër Andersson, duke i hapur rrugën zgjedhjes së saj.
Diskutime rreth kësaj post