Lëvizja Socialiste për Integrim ka vijuar me sulmet e saj ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili me anë të një statusi në rrjete sociale u shpreh se heqja e koalicioneve nga Basha natën e 17 majit ishte në shërbim të kryeministrit Edi Rama.
Ai u shpreh se LSI ishte e gatshme të dilte në koalicion me parti të tjera opozitare me qëllimin e krijimit të një poli politik më vete që do ti jepte Bashës mundësinë të bëhej kryeministër i vendit. Sipas tij, Basha detyroi aleatët e tij më besnikë të vendoseshin në rresht e të mos kishin alternativë tjetër teksa shtoi se kreu demokrat u soll ashtu si zakonisht, besëprerë.
“Atë natë të 17 majit Luli i hoqi koalicionet me Ramën jo sepse LSI mund të shkonte me PS, pasi LSI e kishte garantuar hapur, që kurrë nuk do hynte me PS në koalicion me gjithë kërkesat e panumërta të Ramës, por do dilte në një koalicion me PDIU dhe parti të tjera me vete, për të krijuar një pol politik me vete, që mund ti jepte mundësinë kryetarit tuaj të bëhej kryeministër pas zgjedhjeve. Por Luli në shërbim të Ramës e bëri heqjen e koalicioneve, vetëm e vetëm për të pamundësuar këtë gjë, por edhe për ti vënë para faktit aleatet e tij, që ata të hynin në rresht e të mos kishin alternativa të tjera. Pikërisht ata aleatë, që i kishin qëndruar besnike. Besëprerje e zakonshme”, tha Vasili.
Nga ana tjetër edhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari u shpreh se LSI ka qenë gjithmonë e gatshme pranë PD për të pasur një opozitë të angazhuar. Sipas tij, ishte shumë e qartë se Basha nuk kishte vullnet për punën në ekip teksa shtoi se këtë nuk e thotë vetëm LSI por edhe parti të tjera opozitare.
“25 prilli ishte një goditje shumë e rëndë ndaj opozitës e cila nëse do kishte një bashkëpunim më të fortë në terren dhe më konsoliduar, mendoj që mund të ishte eliminuar. Ajo që ndodhi qartë ishte se kryetari i PD-së, Basha nuk kishte një vullnet për të bërë një fushatë të fortë në terren në frymën e një ekipi. Kjo nuk është thjesht kundrejt LSI-së, por i gjithë fronti opozitar ngriti këtë shqetësim pas 25 prillit”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post