Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili është shprehur se PD zyrtare ka zgjedhur të bëjë zhurmë dhe të bashkëpunojë fshehurazi për të fshehur gjurmët dhe pasojat e tmerrshme të këtyre gjurmëve në jetën e shqiptarëve në ekonomi e të tjerë.
Në deklaratën së tij, Vasili shprehet afera e inceneratorëve është nga çështjet më madhore, ndërsa e konsideron si aferën e shekullit.
Ai shtron pyetjen përse se denoncimeve të rënda të LSI-së, PD zyrtare refuzoi pjesëmarrjen e LSI në komisionin për hetimin e inceneratorëve. Më tej shton se LSI është e vendosur për t’i shkuar të vërtetave deri në fund
Deklarata e plotë:
“Jemi në një moment të rëndësishëm në momentin e të vërtetave të mëdha. Maskat kanë rënë dhe këto të vërteta duhen ndarë pa asnjë hezitim me të gjithë qytetarët për të ditur se kush është vendosur qartësisht në luftën kundër korrupsionit, shpërdorimit të kapjes së shtetit dhe në krah të tij. Për fat të keq, PD zyrtare ka zgjedhur të bëjë sikur bën zhurmë sheshit dhe të bashkëpunojë fshehurazi natën për t’i fshehur gjurmët dhe pasojat e tmerrshme të këtyre gjurmëve në jetën e shqiptarëve në ekonomi e të tjerë. Ka një çështje shumë të madhe konkrete që ka të bëjë me atë që quhet afera e inceneratorëve, një aferë me të drejtë e quajtur afera e shekullit. PD zyrtare ka zgjedhur të bëjë sërish zhurmën, teneqenë e prishur vetëm e vetëm që kjo aferë të mos zbardhet të mos i shkohet deri në fund e të prodhojë komisione për mos hetimin e për mbylljen e gjurmëve në vend të hapjes së tyre.
Është fare e qartë dhe dihet publikisht dhe nuk ka nevojë ta shpjegojë as PD zyrtare askush tjetër se cili ka qenë roli i LSI në këtë drejtim. Denoncimet e LSI, të kryetares së saj zonjës Monika Kryemadhi dhe denoncimi pasuses të bërë nga unë kanë pasur të vërteta tronditëse, më të mëdhatë e para ndonjëherë në 30 vjet pluralizëm. Ato janë përcjellë gjerësisht dhe kanë treguar me detaje, me dokumenta, me mjaft fakte sesi është gjurma e përfituesve të kësaj afere ku ndërmjet përfituesve, Partia Demokratike zyrtare mund të hapë sytë mirë se mund të gjejë prej tyre edhe brenda vetes, dokumenta të cilat ekzistojnë. Po sot, të gjithë do të pyesnin, pas këtyre denoncimeve shumë të rënda të LSI, pse PD zyrtare refuzoi pjesëmarrjen e LSI në komisionin për hetimin e inceneratorëve. Kjo është shkresa zyrtare, e bërë në emër të LSI për pjesëmarrjen në këtë komision, e cila u refuzua dhe u pengua egërsisht nga PD. Çfarë i prishte, pse e shqetësonte prezenca e LSI si një denoncuese shumë e fortë për hetimin e kësaj afere? Kjo pyetje ka përgjigjen brenda, nuk kanë dëshirë për ta zbuluar këtë të vërtetë. Dhe LSI ishte një prezencë e papërshtatshme jo komode, e dhimbshme në drejtim të farsës për ta mbyllur aferën e inceneratorëve. E përsa i takon gjumit që i paska dalë dhe na tregojnë këta çfarë paskan bërë këta nga mesi i 2017, po i sqarojmë që në emër të parimeve, pra vetëm në emër të parimeve që në vitin 2017 edhe duke qenë në koalicion dhe aleancë me PS dokumentet janë shumë të qarta. Në marsin e 2017, unë personalisht si Ministër i Drejtësisë jam prononcuar zyrtarisht me shkrim duke iu kundërvënë haptas edhe linjës së qeverisë, qeveri me të cilën PD bashkëpunoi me shumë dashuri pak muaj më pas, pas 17 majit. Duke u vendosur në krah të banorëve, duke kërkuar respektimin dhe zbatimin e ligjit dhe duke iu kundërvënë qeverisë.
Po ky qëndrim ka qenë qëndrim konstant edhe më para se 2017, ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, në nëntor dhe dhjetor që në vitin 2016 ka kundërshtuar miratimin e kësaj afere dhe ajo është miratuar me mendimin kundër dhe qëndrimin kundër zyrtar e me shkrim të tij. Këto kanë qenë qëndrime konstante sepse LSI ka pasur një distancë të prerë më këdo shkelës të ligjit dhe abuzues të tij. Ish ministri i mjedisit të rilindjes është e qartë dhe kandidat për deputet, së bashku me deputetin tjetër e pranoi. Distanca ka qenë e prerë dhe jo rastësisht tre kallëzime të njëpasnjëshme i fundit i bërë pak javë më parë nga kryetarja e LSI e zbërthejnë me detaje këtë aferë kaq të madhe, e cila nuk ka nevojë për zhurmat e këtyre por ka nevojë për t’i shkuar të vërtetave deri në fund. Kush nuk do t’i shkojë këtyre të vërtetave deri në fund është pikërisht ajo parti zyrtare demokratike, e cila refuzon pjesëmarrjen e LSI, refuzon denoncimet shumë të mëdhaja të saj dhe trembet prej tyre. Tremben vetëm ato që kanë përfitime, jetojnë me to, gjallojnë më to e që ndajnë të njëjtat afera politike por dhe ekonomike shumë të rënda në kurriz të shqiptarëve.
Ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë, do t’i ndjekim kallëzimet tona deri në fund nuk do lodhemi duke i ndjekur deri në detajin e fundit për t’i nxjerrë këto të vërteta dhe beteja është shumë e qartë, lufta me të vërtetat i vendos përpara shqiptarëve qartë ata që i mbulojnë këto të vërteta e kur LSI është vendosur në krah të tyre. Dhe ata që duan t’u bien teneqeve të komisioneve, që duan të mbyllin aferat në vend që t’i hapin. Kjo është sa për sot. Megjithatë, edhe për dokumenta që do kenë interes të tjera për të treguar qëndrimet në kohë dhe komunikimet në kohë edhe për aferën e inceneratorëve dhe për pjesëmarrjen e LSI ku komunikimet janë bërë edhe me kryetarin e grupit parlamentar dhe kryetarin e Partisë Demokratike, do të zbardhen më vonë për të kuptuar qartësinë dhe ndershmërinë e vendosmërinë e LSI për t’i shkuar të vërtetave deri në fund dhe interesaxhinjve të komisionuar të Edi Ramës që duan t’i fshehin pasi si duket ushqehen dhe mbahen me to.”-shkruan Vasili.
Diskutime rreth kësaj post