Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu dje ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike. Moisiu u shpreh se politika është e komplikuar dhe lufta brenda llojit është e mirë pasi duhen hequr gjërat e dëmshme dhe partia duhet pastruar. Ish-presidenti po ashtu foli edhe për kthimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike. Sipas tij, çdo njeri ka një periudhë që është aktiv dhe duhet të shërbejë dhe pastaj vjen një moment kur duhet të mënjanohet. Moisiu tha se ajo që po ndodh në PD e dobëson opozitën.
“Sigurisht politika shqiptare është komplikuar, është lufta brenda llojit, por ndonjëherë këto gjëra bëjnë mirë. Bëjnë mirë sepse edhe brenda llojit duhen hequr ca gjëra që kanë hyrë si kanë hyrë, por tani janë të dëmshme dhe duhen pastruar. Kështu që mendoj se nuk është gjë e keqe. Por mendoj se pasi kjo të kalojë opozita duhet të bëhet më e fortë dhe do të bëhet më e fortë”, tha Moisiu.
Nga ana tjetër Moisiu foli edhe për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Ai tha se Bashkimi Europian duhet të hapë negociatat pasi Shqipëria i ka përmbushur detyrat e saj. Sipas ish-presidentit, mungon bashkëpunimi rajonal dhe tensionet janë rritur prandaj udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërgjegjësohen për gabimet dhe të tregohen vizionarë.
“Siç e dimë, aspirata e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në Bashkimin Europian dhe unë e kam shprehur edhe më parë që Bashkimi Europian duhet patjetër ti hapë negociatat. Ne jemi të vetëdijshëm se, përveç detyrave të shtëpisë dhe problemeve që ka secili vend brenda vetes, ne na mungon bashkëpunimi në nivelin e duhur në rajon, dhe së fundmi tensionet sa po vijnë e po rriten. Edhe një herë dua ta theksoj se udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërgjegjësohen për gabimet e të kaluarës dhe të marrim përgjegjësi për to, si shtete dhe udhëheqës, duke treguar lidership kurajoz dhe vizionar”, u shpreh Moisiu.
Diskutime rreth kësaj post