Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli për mediat pas miratimit nga Kryesia të kërkesës së tij për mbajtjen e Kuvendit më 18 dhjetor. Ai u shpreh se askush nuk e merr dot peng PD.
“Do të kemi një Kuvend më 18 dhjetor. Jam krenar për një vendim e Kryesisë, pas 6 orësh diskutime. Dua t’i falënderoj të gjithë. Pavarësisht prej mendimeve apo votës së tyre, për përkushtimin që demonstruan dhe legjitimin e plotë që i kanë dhënë demokratëve. Një parti, një Kuvend më 18 dhjetor. E sigurt është që nuk do lejoj askënd që të mbajë PD peng”, tha ai.
Pas tij, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se Kryesia miratoi sot mbledhjen e Kuvendit më datë 18 dhjetor. Teksa tregoi se kërkesa e Bashës mori mbështetjen e shumicës së kryesisë, Bardhi zbuloi se Kuvendi do të nis ditën e shtunë, në orën 11:00. Mes të tjerash ai lexoi edhe pikat e rendit të ditës.
“Dua të informoj opinionin dhe demokratët për vendimin e marrë nga kryesia, me shumicë dërrmuese të anëtarëve. Nisur nga situata në PD, pas shpalljes nga SHBA non-grata të Berishës. Me kërkesë të kryetarit të partisë, kryesia vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD ditën e shtunë më datë 18 dhjetor, ora 11:00”, tha ai.
Bardhi deklaroi se hallet personale nuk mund të futen në selinë e PD.
“Ky është vendimi që ka marrë me votë të shumicës dërrmuese të PD-së. Çdo anëtar do të jetë prezent për të shprehur vendimin e tij në mbledhjen e 18 dhjetorit. Ky, e kam theksuar dhe në fjalën time, është moment i rëndësishëm. Duhet të jetë moment bashkimi, pavarësisht diferencave në mendim. Ftova dhe kolegët që mendonin ndryshe. Pati një refuzim prej tyre për të bërë rendin e ditës, pasi kanë përfshirë dhe çështje të tjera. Duke treguar edhe një herë se ajo çka ka ndodhur para 2 muajsh s’ka pasur lidhje me mbledhjen e PD apo të anëtarëve të Kuvendit për t’u dëgjuar. Në 18 dhjetori, ora 11, PD zhvillon mbledhjen e Kuvendit në Pallatin e Kongreseve”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post