Nënkryetari i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj dje gjatë fjalës së tij në Kuvend kritikoi ashpër buxhetin teksa deklaroi se të gjithë janë të pakënaqur me të. Rushaj tha se nuk ka asnjë rritje pensioni ndërkohë që pensionistët duhet të paguajnë për litrin e gazit që përdorin për të gatuar apo ngrohur. Sipas tij, pritej një politikë për burime alternative të energjisë jo rritje të akcizës për gazin.
“Vitet e kaluara ka pasur ndonjë mendim pozitiv. Këtë vit, janë të gjithë të pakënaqur. Nuk ka rritje pensionesh, vetëm indeksim, sipas inflacionit që është rritur me 2%. Të gjithë pensionistët, duhet të përgatitet të paguajnë 72 lekë më shumë për litrin e gazit, që ata e përdorin për të gatuar dhe ngrohur. Unë besoja që duhet të kishim një politikë për burime alternative të energjisë, ndërkohë që ajo që bëjmë është rritja e akcizës për gazin”, deklaroi deputeti.
Po ashtu Rushaj akuzoi qeverinë për mungesë totale të transparencës sa i përket rritjes së taksave. Sipas tij, qeveria është duke vendosur barrë mbi biznese duke i çuar ato drejt falimentit.
“Jo vetëm që qeveria ka vendosur të marrë 30 milionë më shumë nga akciza, por ka vendosur të rrisë taksat. Do të indeksojë dhe rritjen e akcizës, nëse ka inflacion, do të rritet automatikisht akciza, nuk do të ketë nevojë të mbledhë fare kuvendin. Totalisht mungesë transparencë. Të gjithë po e kundërshtojnë, sepse së pari nuk i ka pyetur kush. Dhe sepse do të çojnë deri në 30% rritje çmimesh për qytetarët, madje rrezikon falimentim për shumë biznese. Meqë janë në krizë, qeveria po e vë barrën mbi ata”, tha nënkryetari i PD.
Ndërkohë Rushaj ka vijuar kritikat sa i përket skemës së shitjes së karburantit pa taksa për jahtet. Sipas Rushajt, kjo skemë është kundër ligjit pasi qytetarët do të paguajnë më shumë.
“Qeveria po legalizon skemën e shitjes së karburantit pa taksa për jahtet. Kjo gjë i ka kushtuar 20 milionë lekë në vit shtetit, sipas Ministrisë së Financave. Është skemë e kundërligjshme. Qytetarët paguajnë 100 lekë taksa për litër, jahtet do të paguajnë 65”, u shpreh Rushaj.
Diskutime rreth kësaj post