Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjithashtu deputet i PD, e ka konsideruar nul vendimin e kreut të kësaj Partie Lulzim Basha, për të zhvilluar zgjedhje brenda kësaj strukture sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së FRPD-së, Këlliçi tha se ky proces zgjedhjesh që pritet të zhvillohen, është totalisht kundër statutit dhe synon uzurpimin e FRPD-së nga Basha.
Sipas Këlliçit, kryesia e FRPD-së ka votuar në mënyrë unanime kundër vendimit të marrë nga Basha.
“Vendimi ynë që do t’ju bëhet dhe ju me dije është 100% kundër. Ne kemi detyrim statutor për të bërë më të mirën, për të pasur një strukturë të re. Çdo shtëpi ka themelet e saj dhe unë jam krenar për demokracinë tonë të brendshme.
Në forumin rinor ka përplasje idesh, ka debate, por këtë proces nuk e njohim. Ne kemi persona në FRPD që janë diplomuar në 10 Universitetet më të mira në botë dhe publiku nuk i njeh. Ky nuk është momenti për të uzurpuar institucionet,” shprehet Këlliçi.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i FRPD-së, Grigels Mucollari, i bëri thirrje Bashës të tërheqë menjëherë këtë vendim. Sipas tyre, është kryesia e FRPD-së që i thërret Zgjedhjet dhe jo kryetari i partisë.
Më herët, ishte zyra e shtypit të PD-së që njoftoi se FRPD, ka nisur procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat të cilave u ka mbaruar mandati në 2019-ën.
Diskutime rreth kësaj post