Kryeministri Edi Rama ka theksuar dhe njëherë se nisma “Ballkani i Hapur” është njësi zbatimi e procesit të Berlinit. Nga Beogradi, kreu i qeverisë theksoi se “Ballkani i Hapur” është i hapur, është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve, por as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejt, nuk do presin.
Ai shtoi se i ka dëgjuar arsyet e tre vendeve që nuk marrin pjesë, por i konsideroi arsye të mosaarsyes.
Deklarata e Ramës:
“Pikërisht pse procesi i Berlinit është një proces që pasi ka vendosur një kornizë vlerash ka mbetur në rrugë nga një samit në tjetrin, në tjetrin, në tjetrin çdo vit dhe çdo vit e më qartësisht në pamundësi për të zbatuar ato që thuhen është krijuar kjo nismë, e cila nuk është asgjë tjetër veçse një njësi e zbatimit të procesit të Berlinit duke përshpejtuar dhe njëkohësisht duke monitoruar zbatimin.
Ballkani i Hapur nuk është për tre vende, është për të gjashta dhe ndryshe nga procesi i Berlinit nuk merret dot peng nga asnjë vend sepse përcakton qartë se cilido prej vendeve që do të ecë më shpejt mund ta bëjë këtë, pa qenë i detyruar të presë konsensus sikur jemi një karikaturë e BE. E thjeshtë dhe e përsëris, për ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë Ballkani i Hapur është i hapur, është gjithëpërfshirës dhe është i të gjithëve, por as Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejt, nuk do presin. Arsyet se përse të tjerët janë skeptikë, i kam dëgjuar. I kam dëgjuar arsyet e Malit të Zi, Bosnjës dhe të Kosovës, por i konsideroj arsye të mosarsyes. Ju thatë që duket sikur Ballkani i Hapur janë për interesat ekonomike të këtyre tre vendeve. Patjetër që unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë, për çfarë duhet të jem këtu për interesat ekonomike të Gjermanisë, Kinës? Interesat ekonomike të Shqipërisë drejtpërdrejt fuqizohen nga Ballkani i Hapur.
Në dhjetor kur ne të bëjmë takimin në samitin e radhës në Tiranë dhe kur t’i dorëzojmë të gjitha atyre sipërmarrjeve që takuam sot, që kanë ndërveprim me vendet respektive, çfarë kemi konkluduar si zbatim i procesit të Berlinit dhe kur t’i përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare mes këtyre vendeve në një kanal jeshil, po ju them mos u habisni që kompanitë nga Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova do kërkojnë të vijnë para qeverive, për të mos pasur probleme kur hyjnë në kufijtë e vendeve tona. Mos u çudisni! Kjo nuk është një tekë, as konspiracion, as iluzion halucinant, kjo është një kërkesë ulëritëse ekonomitë tona, e njerëzve, qytetarëve, sipërmarrësve, studentëve, akademikëve, njerëzve që duan të lëvizin për turizëm. Ne na duhet gjithçka për ekonominë tonë dhe ne do bëjmë gjithçka”, deklaroi Rama.
Diskutime rreth kësaj post