Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ditën e djeshme me anë të avokatit, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të Posaçëm, i cili një muaj më parë pranoi kërkesën e SPAK për rihetimin e tij sa i përket tragjedisë së Gërdecit.
Ardian Visha, avokati i Fatmir Mediut është shprehur se vendimi është antikushtetues dhe vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit duhet të prishet. Sipas avokatit, vendimi është i cenueshëm sa kohë një gjykatë e një shkalle më të vogël ka prishur një vendim të Gjykatës së Lartë, pasi ndjekja penale për këtë rast është e parashkruar për shkak të viteve.
Mbrojtësit e Mediut pretendojnë se janë katër çështje themelore që shkelen madje injorohen. Avokatët thanë se asnjë vendim pushimi gjyqësor nuk mund të rikthehet për vlerësim në fazën e seancës paraprake aq më shumë që sipas avokatëve ky vendim pushimi në rastin konkret është marrë nga Gjykata më e Lartë e vendit. Pak ditë më parë SPAK, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të Mediu dhe ka regjistruar procedim penal për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme refuzoi nisjen e gjykimit për Mediun sa i takon shpërthimit në Gërdec me argumentin se vendimi ishte i parashkruar dhe se Prokuroria kishte 10 vite kohë që të bënte një kërkesë të tillë. SPAK nuk e pranoi këtë vendim dhe iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Apelit. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ankimoi vendimin sepse sipas tyre, shkalla e parë nuk e ka zbatuar drejt ligjin dhe vendimi është i cenueshëm. SPAK kërkoi që Apeli i Posaçëm të prishte vendimin e Shkallës së Parë dhe tashmë çështja e Gërdecit është e hapur.
Diskutime rreth kësaj post