Kryedemokrati Lulzim Basha u bë kryefjala e politikë së tij, pas deklaratave të forta që bëri nga foltorja e kuvendit. Përveç akuzave ndaj kryeministrit Rama për korrupsion dhe mashtrim, ai iu kundërvu dhe ish-liderit demokrat, Sali Berisha dhe për të herë të parë akuzoi dhe presidentin e vendit, Ilir Meta.
Enton Abilekaj është shprehur se Basha po synon të bëjë heroin dhe të pëlqehet nga qytetarët, duke futur në thes ‘politikanët e vjetër’.
“Duket sikur papritur ka ndryshuar totalisht kurs. Ishte njeriu që para 1 muaj e ca e pezulloi Berishën që e konsideronte lider. Sot tha që Berisha nuk është lideri më i mirë, por është pjesë e së keqes.
Basha sot ka folur sikur është tërmeti që do të shkatërrojë Trekëndëshin e Bermudës, por është anija e vetmuar brenda trekëndëshit. Nëse do e kishte këtë betejë më herët, 8 vite më parë, situata do të ishte ndryshe. Gjatë këtyre 8 viteve pamë bashkëpunim vetëm në dy brinjë, dhe sot jemi në një distancim të papritur. Basha është nën kërcënim nga një pjesë e trekëndëshit dhe po kërcënon tani të gjithë sistemin”, tha ai në Open.
Sipas Abilekaj, tani që Basha nuk gjen rrugëdalje, po kërkon ndihmën e të huajve. Por, a është i besueshëm Basha?
“Jo, sepse është hera e parë që deklarohet, është në një pozicion të vështirë. Duhet të japë prova, është hera e parë që po flet për një shkëputje totale nga Berisha dhe Meta. Është ajo që shoqëria po kërkon”.
Ai përdori metaforën “ndoshta anija nuk ka kapitenin e duhur”, për të thënë se Basha nuk do të mund të bëjë ndryshimet që kërkon e djathta në veçanti dhe politika në vendin tonë në tërësi.
Analisti argumenton se Basha iu kundërvu Berishës, sepse ai iu kundërvu i pari: “Ka nisur të sulmojë sistemin, sepse sistemi nisi i pari luftën kundër tij”.
Diskutime rreth kësaj post