Fabjan Topollaj i Partisë Bindja Demokratike ka folur për zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike. Topollaj e ka quajtur shumë të poshtër nga ana morale atë që Basha i bëri Berishës me përjashtimin e këtij të fundit, por ai shtoi se ka qenë vetë Berisha ai që e ka mbështetur Bashën deri në ditën kur e përjashtoi.
“Z.Berisha hyri në fushën e lojës në momentin kur u prek personalisht. Deri në atë moment Berisha ka qenë mbështetës i Bashës. Vetë ka thënë që nuk e ka ditur se njerëzit i venin pas Lulzim Bashës nga mbrapa sepse mendonin se e mbështes unë. Sali Berisha e ka bërë Lulzim Bashën këtë politikanin që është sot. Pa Sali Berishën Lulzim Basha nuk do ishte aq i fortë sa është. Është shumë e poshtër, shumë e ulët”, tha Topollaj.
Nga ana tjetër, Fabjan Topollaj ka folur dhe për ndarjen e BD-së nga PD-ja, duke u shprehur se kjo ndarje erdhi pas djegies së mandateve dhe pas bojkotimit të zgjedhjeve lokale.
“Ne nuk e kishim këtë problemin personal që ikëm nga PD. Ne ikëm nga PD nga vendimet e çmendura që mori djegia e mandateve dhe më pas bojkotimi zgjedhjeve. Ne jemi të hapur me këdo që është pjesë e opozitës për të ndërvepruar në raporte partneriteti. Duke qenë se PD është pjesë e rëndësishme të opozitës, ne të gjithëve na dhimbset dhe të gjithë kemi detyrim të flasim për opozitën e vendit. Është aq e vonuar gjëja sa sot ndoshta nuk mund të arrini atë që dëshironi nga vonesa. Forcë është ta mbash vulën pa asnjë anëtar”, u shpreh Topollaj për Fax News.
Diskutime rreth kësaj post