Partia Socialiste ka nisur përgatitet për zgjedhjet vendore. Pavarësisht fitores që korri në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, administrimit të pushtetit vendor dhe vendimit të Komisionit të Venecias që la në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit 2019 duke këshilluar Gjykatën Kushtetuese që të mos i përsërisë ato, gazeta ka mësuar se socialistët kanë ndezur motorët për “fushatë” elektorale. Ditën e djeshme Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga Sekretari Organizativ, Blendi Klosi dhe Sekretari për Digjitalizimin, Etjen Xhafaj, zhvilluan një mbledhje me kryetarët e Partisë Socialiste në të 61 bashkitë e vendit, teksa iu është kërkuar që të zbresin në bazë, të rrisin kontaktet me qytetarët dhe të përgatiten për zgjedhje sikur ato të mbahen nesër.
Mësohet se ky kushtrim i socialistëve ka ardhur për shkak se disa bashki janë pa kryetar dhe për faktin se pushtetin vendor e administron ajo, ndërkohë që opozita është e papërfaqësuar. Kështu që nisur nga kjo situatë, por edhe për shkak se gjetja e dakordësisë mes PD dhe PS për reformën e re territoriale imponon në një farë mënyre çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme vendore, socialistët kanë nisur përgatitjet. Nga ana tjetër, mësohet se në mbledhjen e djeshme të zotit Gjiknuri me 61 krerët e Partisë Socialiste është kërkuar edhe vijimi i analizës brenda partisë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Por detaje mbi takimin e me kryetarët e PS në të 61 bashkitë e vendit, dje ka dhënë edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Duke folur për mediat pas përfundimit të takimit, Gjiknuri u shpreh se në fokus të diskutimit ishte analiza brenda PS dhe përgatitjet e strukturave në mënyrë që të jenë gati për zgjedhje.
“Patëm rastin të mbledhim të gjithë drejtuesit e Partisë Socialiste në të gjitha bashkitë. Ishte një analizë në lidhje me ecurinë e procesit të analizës post-zgjedhore dhe njëkohësisht edhe ecurisë së procesit të regjistrimit të anëtarësisë. Është një analizë e nevojshme pasi Partia Socialiste ka hyrë në një fazë intensive të ristrukturimit, që do të thotë përgatitja e partisë ndërmjet periudhave zgjedhore për të qenë gati në çdo moment”, deklaroi ai.
Ndërkohë numri dy i Partisë Socialiste theksoi gjithashtu se përfundimi i këtij procesi do konkludojë me përgatitjen e një platforme të mirëfilltë elektorale organizimi, që Partia Socialiste të konsolidohet më tej si forca më e organizuar politike.
“Eksperiencat e krijuara në zgjedhjet e fundit dhe përmirësimet e nevojshme që do të dalin nga procesi i analizës do i konkludojmë me përgatitjen e një platforme të mirëfilltë elektorale organizimi, që Partinë Socialiste ta konsolidojmë si forcën më të organizuar politike. Gjithmonë për të çuar përpara interesat e publikut shqiptar. Frytet e këtij takimi besoj se do reflektojnë në qasjen strategjike të Partisë Socialiste”, nënvizoi sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.
Diskutime rreth kësaj post