Thellohen përplasjet në Partinë Demokratike. Përveç kritikave publike që ka bërë në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, kreu i PD, Lulzim Basha duket se po mobilizon edhe bazën demokrate, me qëllim ndërgjegjësimin e saj sa i takon “Foltores” së nisur prej ish-liderit demokrat. Gazeta gjatë këtyre ditëve ka zbuluar detaje nga situata në bazën e Partisë Demokratike, ndërkohë që sot po sjell për lexuesin një tjetër udhëzim që ka shkuar këtë fundjavë në tryezë e kreve të degëve të PD nga selia qendrore.
Sipas dokumentit, PD ua bën të qartë krerëve të degëve që në mbledhjet me struktura duhet theksuara se “Foltorja” e Berishës është një mashtrim i madh dhe se asnjë demokrat nuk duhet të besojë më ish-kryeministrin. Madje në udhëzim sulmohet hapur edhe presidenti Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që po inkurajojnë revolucionin e ish-kryeministrit Berisha, referuar mbështetjes që kjo dyshe po i jep “Foltores” së ish-liderit demokrat.
“Doktori e ka të qartë që dhuna dhe emocionet që ai përcjell në “Foltoren” e tij nuk janë vetëm se tentativa të dobëta dhe të pasinqerta për të provokuar një revolucion kur në fakt ai nuk ka asnjë pushtet. Megjithë përpjekjet e tij për të sjellë në Foltoren e tij edhe deputetë të PD, lëvizja e tij nuk ka “sy për Qabe”. Demokratët e mërzitur me z. Basha po përpiqen të përdorin mllefin e doktorit për të prodhuar një lëvizje që do të rrëzojë kryetarin e PD. Ndërkohë që doktori po përpiqet që t’i tërheqë në kullën e tij për të sulmuar SHBA. Aleat të përkohshëm ai ka Ramën, Metën dhe me siguri edhe ndonjë pjesëtar të LSI. Por, siç edhe Statuti i PD shkruan e zeza mbi të bardhë, doktori nuk ka asnjë mjet statutor për të rrëzuar Bashën. Madje nuk ka për të patur kurrë”, thuhet në udhëzimin që i ka shkuar bazës së PD.
Por sulmet ndajë dyshes Meta-LSI nuk kanë qenë të vetmet, pasi në udhëzimin dërguar krerëve të degëve të PD dhe bazës demokrate, akuzohet edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas udhëzimit, “Foltorja” do sjellë fundin politik të Berishës. Madje në udhëzimin e Partisë Demokratike theksohet se merita kryesore për nxjerrjen nga politika të ish-kryeministrit Berisha i shkon Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sali Berisha nuk i përket më Partisë Demokratike! “Foltorja” nuk është gjë tjetër veçse një tur lamtumire që doktor Berisha po i jep demokratëve. Ai po largohet nga politika dhe largimi i tij u bë publik ditën kur SHBA e shpalli non-grata. Sado që mediat pranë doktorit dhe mbi të gjitha forcat politike pranë doktorit mundohen të pikturojnë rikthimin e z. Berisha si një çështje ditësh të gjithë e dinë që ai nuk do të rikthehet. Beteja e tij politike ka përfunduar ditën që SHBA e shpalli “non-grata” dhe beteja për PD ka përfunduar ditën që z. Basha, kryetari i PD, u rreshtua me SHBA”, thuhet në udhëzim.
Më tej në udhëzim thuhet se Partia Demokratike dhe Shqipëria janë më të rëndësishme se ish-kryeministri Berisha, ndërsa theksohet se raportet e PD me SHBA janë të pacenueshme.
“Ka ardhur koha që PD të rikthejë në krah SHBA pasi boll ka vuajtur nga përballja me të për hir të liderit historik. PD dhe Shqipëria janë më të rëndësishme, se individi Sali Berisha! Raportet tona me SHBA janë të forta dhe të pacenueshme. Kështu që le të jetë “Foltorja” një tur lamtumire për Doktor Berishën, pasi ai e di të ardhmen që e pret”, thuhet në udhëzimin që i ka shkuar bazës së PD.
Diskutime rreth kësaj post