Ashtu siç gazeta e kishte paralajmëruar, Partia Demokratike ka dorëzuar ditën e djeshme në Gjykatën Kushtetuese një padi për vendimin e Kuvendit për mosngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen “Becchetti”.
Në një deklaratë për mediat pas dorëzimit të padisë, nënkryetarja e PD, Grida Duma akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka frikë të hetojë këtë çështje, duke e bërë atë përgjegjës për dëmshpërblimin prej 120 mln euro që shteti shqiptar duhet t’i paguajë Becchetti-t, me vendim të gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit.
Madje, Duma theksoi se ngritja e një Komisioni Hetimor nuk ka nevojë për miratimin e asnjë force politike, duke theksuar se PD do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje.
“Fitorja e parë e PD është fakti që ata treguan publikisht që nuk miratojnë dot një komision hetimor pasi është e qartë që është çështje e humbur. Komisionet hetimore nuk kanë nevojë për miratimin e asnjë force politike. PD nuk mund të ndalojë me një fitore publike e mediatike, që për këtë çështje Rama ka frikë të hetojë pasi është shkaktar përgjegjës për 120 mln euro, për të cilat komisioni hetimor po vonohet, por megjithatë nuk do të pengohet”, deklaroi Duma.
Ndërkohë gazeta ka mësuar se Partia Demokratike ka dorëzuar dy kërkesa në Gjykatën Kushtetuese për çështjen “Becchetti”. Sipas informacioneve, mësohet se kërkesa e parë për Gjykatën Kushtetuese është zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa kërkesa tjetër është deklarimi si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e ngritjes së Komisionit Hetimor Becchetti.
Ndërkohë dje kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur grupin parlamentar të PD. Burime nga mbledhja e grupit konfirmuan se sot do të depozitohet në Kuvend projektligji për uljen e TVSH-së, nga 20 për qind në 6 për qind.
Diskutime rreth kësaj post