Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryetari i PD, Lulzim Basha i është rikthyer vettingut në politikë. Sipas tij, vettingu i politikanëve është edhe receta më e mirë kundër korrupsionit.
Kreu i demokratëve theksoi se PD-në nuk do ta ndalë askush për të pastruar politikën, që sipas tij do t’i japë njëherë e mirë fund tranzicionit.
“Vettingu i politikanëve, që është edhe një nga mjetet që mund të adresojë më së miri prodhuesin e renditjeve që prezantova pak më parë, nëpërmjet pastrimit të politikës nga të korruptuarit dhe të lidhurit me krimin. Pastrimin e politikës nga të gjithë ata që kanë abuzuar dhe abuzojnë me fuqinë që u është besuar për përfitime personale, duke braktisur interesin e qytetarëve, duke u kthyer ne pengesë të mirëqeverisjes dhe prodhues krizash që i shërbejnë vetëm një grushti të vogël njerëzish, që përfitojnë nga korrupsioni dhe mungesa e besimit që ai ngjall te aftësia dhe forca e njerëzve për të ndryshuar rendin e gjërave.
Ne e kemi hedhur hapin e parë. Jam i bindur që debati nuk do të mungojë. Jam po ashtu i bindur që kundërshtarët e egër të këtij propozimi janë ata që rrezikojnë qëndrimin në këtë sallë, apo në çdo karrike tjetër që mbajnë në emër të qytetarëve, për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me krimin. Por kjo nuk do të na pengojë. Nuk do të na pengojnë as ata që opozitën e opozitës e kanë sport kombëtar, të cilët, pasi për tre dekada kanë lëshuar romuze kundër politikanëve, nëpër kafe apo emisione, e sot kanë zhvilluar empati dhe dhembshuri për politikanët që do të kalojnë sitën e vettingut.
Asgjë nga këto nuk do të ketë rëndësi për ne, sepse këto nuk janë prioritete të Partisë Demokratike, por prioritete të qytetarëve të këtij vendi që duan t’i japin fund lidhjes së politikës me krimin, që duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë të zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar,që duan ta shohin Shqipërinë të përparojë drejt Bashkimit Europian, e jo të konkurrojë me shtetet e Unionit Afrikan, në listën e zezë të vendeve të korruptuar dhe autoritariste. Kjo është një emergjencë kombëtare, një gjendje e jashtëzakonshme që kërkon mjete të jashtëzakonshme për zgjidhjen e saj.
Ndaj i takon anëtarëve të këtij Parlamenti të mbajnë një qëndrim mbi atë që shqiptarët duan dhe presin për të pasur një të ardhme më të mirë, e për t’i dhënë fund një tranzicioni të tjezgjatur. Dikush, vite më parë, ka thënë që ekziston një lidhje e ngushtë midis frikës dhe korrupsionit. Sepse vetë frika e humbjes së pushtetit korrupton. Por frika e pak njerëzve që kanë përdorur besimin e qytetarëve për të shpërdoruar pushtetin, nuk mund të pengojë aspiratën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për një ndryshim rrënjësor që ndan politikën nga krimi dhe e pengon shndërrimin e kësaj salle në një strehë për të korruptuarit.
Në këtë sallë nuk mund të ketë vend për ta, dhe jam i bindur që mungesa e tyre nuk do të trishtojë askënd. Sepse shqiptarëve ju mungojnë fëmijët e tyre që janë larguar dhe largohen nga vendi për shkak të politikanëve të korruptuar, jo politikanët e korruptuar që largohen nga politika dhe që e kanë bërë Shqipërinë të pajetueshëm për fëmijët dhe familjet e tyre”, tha Basha.
Diskutime rreth kësaj post