Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, ka urdhëruar që 10 ambasadorë, përfshirë ata nga SHBA, Gjermania dhe Franca, të shpallen persona “non grata”. Ky vendim erdhi pas kërkesës për lirimin e filantropistit Osman Kavala.
Ky i fundit është në burg prej katër vitesh, i akuzuar për financimin e protestave mbarëkombëtare në vitin 2013 dhe për përfshirje në një grusht shteti të dështuar në vitin 2016. Ndërsa Kavala vazhdon të mbetet në paraburgim, gjyqi i tij vazhdon dhe i mohon akuzat.
Në një deklaratë të përbashkët më 18 tetor, ambasadorët e Kanadasë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Finlandës, Zelandës së Re dhe Shteteve të Bashkuara bënë thirrje për një zgjidhje të drejtë dhe të shpejtë të çështjes së Kavalës, dhe për “lirimin urgjent të tij”. Më pas të gjithë ata u thirrën nga ministria e jashtme turke, e cila e quajti deklaratën të papërgjegjshme.
Në një fjalim të tij, në qytetin veriperëndimor Eskisehir, Erdogan tha: “I dhashë urdhrin e nevojshëm Ministrit tonë të jashtëm dhe i thashë se çfarë duhet të bënte: Këta 10 ambasadorë duhet të shpallen menjëherë të padëshiruar. Ata duhet ta njohin dhe ta kuptojnë Turqinë. Në momentin që nuk e njohin dhe nuk e kuptojnë Turqinë, ata duhet të largohen”.
Interesit të mediave për këtë deklaratë të Erdogan, Ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, nuk u janë përgjigjur ende.
Sakaq, Këshilli i Evropës i ka kërkuar Turqisë, që t’i kushtojë vëmendje vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, për të liruar Kavalën, i cili tashmë ndodhet në pritje të gjyqit të radhës.
Diskutime rreth kësaj post