Thellohet konflikti brenda Partisë Demokratike. Një pjesë e deputetëve janë rreshtuar në krah të kryetarit, ndërsa disa në krah të ish-kryetarit dhe duket se çdo ditë që kalon vijojnë të thellohen konfliktet. Ditën e djeshme deputetët Ferdinad Xhaferaj dhe Dashnor Sula kanë reaguar mbi takimet që ish-kryeministri Sali Berisha po zhvillon në bazë, duke lëshuar shumë kritika. Xhaferaj në një studio televizive tha se foltorja po e dëmton shumë PD. Sipas tij, ajo i shërben vetëm Berishës.
“Në këtë konceptim lëvizja nuk e ndihmon PD-në. Foltorja është e vendosur keq në kohë, në maj dhe në qershor, ajo do e kishte kuptimin. Asaj kohe pamë kandidatët, Harxhi, Kadilli, Basha, Shehaj që ngritën foltoren e tyre dhe Kuvendin Kombëtar, e çdo gjë mbaroi më 13 qershor. Është e vendosur keq në kohë, Berisha ta mbajë stafin gati në 2025, pasi kjo aktualja i shërben agjendës personale të zotit Berisha. Në llogaritë e veta i ka bërë kalkulimet se mund të konceptohet se është më i fortë kur është “non grata”, duke pasur prapa PD. Kjo llogari personale e Berishës e fut PD në tunel të errët, është konceptuar keq në kohë, është diametralisht kundër llogarive të PD-së”, tha Xhaferaj.
Në një linjë me të ka qenë edhe Dashnor Sula. Ai u shpreh se kryetari i PD është Lulzim Basha dhe ai duhet të mbështetet që të çojë deri në fund qëllimet e kësaj partie.
“Mund të ketë edhe persona që mund ta kundërshtojnë xotin Basha. Por unë do t’u thosha që zoti Basha është kryetari legjitim i Partisë Demokratike i zgjedhur me votim 1 anëtar një votë, ku dhe ka marrë 83-84% të votave të anëtarësisë. Detyra e zotit Basha është të udhëheqë opozitën drejt sfidave në përballjen me regjimin e Edi Ramës. Unë nuk e teproj ta them se nëse Zoti Basha do të jetë vetvetja dhe do ta ketë tërësisht fuqinë në dorë për të drejtuar Partinë Demokratike do të ketë një rrugë të suksesshme. Nëse Basha do të thyhet apo aksionit nuk do ti shkojë deri në fund, kjo do të përbëjë një problem”, tha ai.
Ndërkohë mbështetësit e ish-kryeministrit janë hedhur në sulm kundër Bashës, teksa paralajmërojnë se shumë shpejt ai do të shkarkohet. Dje ka folur në media Flamur Noka, i cili deklaroi se po punohet për të mbledhur Kuvendin Kombëtar.
“Ne po përgatitemi për ta zhvilluar sa më parë, por nuk ka ende një datë fikse, por kjo do të bëhet para vitit të ri. Statuti prevalon në çdo hap tonin. Statuti përcakton hapat që duhet të ndiqen në këtë rast, ne kemi detyrë t’i ndjekim pikë për pikë. Statuti nuk i jep të drejtë Bashës ta njohë apo jo Kuvendin, është Kuvendi që nesër mund të marrë vendime për të ndryshuar statutin. Asnjë nga deputetët e PD nuk është i tepërt nga ajo dhe nuk do të lëvizë nga ajo parti. Edhe Basha do të rrijë deputet i saj, por jo kryetar”, tha Noka.
I pyetur nëse ka negociata mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Noka u shpreh: “Unë nuk di të ketë negociata dhe nuk ka për të pasur negociata mes Berishës dhe Bashës, përveç negociatës së vetme që të largohet Basha nga karrigia që ka marrë peng”.
Diskutime rreth kësaj post