Kryeministri Edi Rama duket se nuk i del inati me Bashkimin Europian, i cili vijon të mos i hapë dritën jeshile Shqipërisë sa i takon integrimit në union. Teksa ishte dje duke folur gjatë një ceremonie të organizuar për 30-vjetorin e prezencës së Fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, kryeministri Rama shprehu bindjen se vendi ynë është “dhëndër në tentativë” për t’u anëtarësuar, por theksoi se ky nuk është proces për të humbur fokusin për ta çuar vendin përpara.
“Ky është një proces ku nuk duhet ta humbim fokusin nga fakti që jemi në këtë proces jo se na e kanë imponuar të tjerët, por që e ka zgjedhur populli vetë për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes së bashkuar europiane. Duke mbajtur këtë parasysh duhet të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë se kemi bërë. Të bëjmë më shumë se bëmë dje, pavarësisht se çfarë vendimesh merren në Bruksel. Ky është borxhi ynë ndaj fëmijëve tanë dhe gjeneratave të tjera. Pavarësisht se çfarë statusi kemi. Nëse quhemi kandidat. Ka vite që jemi kandidatë dhëndurë në tentativë të familjes europiane. Prej disa vitesh dhëndurë në tentativë me BE”, deklaroi ai.
Më tej kryeministri Rama ka folur edhe për çështjen e mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare që po shtyhet nga konflikti i Maqedonisë me Bullgarinë. Ai tha se çështja e Bullgarisë doli papritur kur Shqipëria ishte fokusuar te Holanda, e cila ishte shteti kryesor që nuk jepte dritën jeshile për Shqipërinë.
“Kujt do t’i shkonte mendja se do dilte Bullgaria? Kur ne e kishim fokusin te zgjedhjet në Holandë dhe kishim bindjes se sapo Holanda të çlirohej nga stresi, del Bullgaria. Askush nuk mund ta parashikojë 100% se nuk del një tjetër”, u shpreh ai.
Ndërkohë Rama u ndal dhe te ideja e “Ballkanit të Hapur”, duke thënë se kjo është e ardhmja dhe se të gjitha shtetet do t’i bashkohen gradualisht në të ardhmen.
“Në lidhje me Ballkanin e Hapur, jam i bindur që kjo është ideja e duhur në kohën e duhur dhe të gjithë do e përqafojnë këtë ide hap pas hapi. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Padiskutim kjo është e ardhmja. Nuk ka rrugë tjetër veçse të hapemi me njëri-tjetrin. I japim vetes mundësinë të rrisim ekonominë. Nuk e ka luksin asnjë vend në BP që të lërë ekonominë mënjanë dhe të merret me politikën”, nënvizoi Rama.
Diskutime rreth kësaj post