Plani i Partisë Socialiste për të shtyrë afatet e vetingut duket se po shkon drejt dështimit. Mazhoranca nuk i ka e vetme votat e mjaftueshme në Kuvend, pasi ka 77 nga 94 që i duhen dhe për këtë arsye është i nevojshëm bashkëpunimi me opozitën. Ndërkohë, Partia Demokratike ka dhënë sinjale se shtyrja e afateve të vetingut nuk është prioritet i saj duke lënë të nënkuptohet se vota e Partisë Demokratike do të jetë kundër sa i përket shtyrjes së afateve. Ishte deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ditën e djeshme gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, tha se zgjatja e mandatit të vetingut, nuk është prioritet. Sipas Bardhit, nuk krijon asnjë ngërç, pasi Kushtetuta ka parashikuar zgjidhjen.
“Zgjatja e mandatit të vetingut, nuk është prioritet sepse nuk ka asnjë ngërç kushtetues në atë drejtim. Kushtetuta dëshmon zgjidhje, ishin ata që në 2018 shkurtuan gjysmë për gjysmë stafin mbështetës të organeve të vetingut. Asokohe opozita ngriti zërin që stafet të ishin të pajisur me burime njerëzore të mjaftueshme. Kërkesa nuk u mor në konsideratë, numri i këshilltarëve u përgjysmua”, tha Bardhi.
Ndër të tjera, ai u shpreh se reforma deri më tani nuk është se ka dhënë rezultatet që priteshin. Bardhi theksoi, se reforma ka sjellë të kundërtën e asaj që kanë pritur qytetarët.
“Për fat të keq edhe pasi kemi hyrë në vitin e gjashtë ka zero rezultate në raport me të dyja objektivat madhore që kishte reforma në drejtësi. Nëse vazhdojmë me të njëjtën njësi matëse edhe kur të jemi në vitin e 16 do të quajmë sukses që po plotësojmë gjykatat e apelit. Kjo ka sjellë të kundërtën e asaj që prisnin qytetarët. Nuk bie dakord që të anashkalohen prioritetet e procesit të integrimit në raport me reformën në drejtësi”, tha ai.
Ndërkohë edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folu sa i përket shtyrjes se afateve të vetingut. Ai u shpreh, se para se të merret ky vendim duhet që të diskutohet fillimisht se çfarë është bërë deri më tani nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
“Ajo që kërkohet ka të bëjë me zgjatjen e mandatit të 14 individëve, që kanë pasur katër vjet e ca kohë për të bërë vetingun. Para se të merret një vendim për këtë çështje dhe në kundërshtim të plotë me mënyrën harbute që Edi Rama mendoi se do na bënte apelin nga selia e Partisë Socialiste ditën e premte, që kjo është diçka që nuk negociohet dhe pikë. Para se ky vendim të merret duhet të diskutohet fillimisht se çfarë kanë bërë këta njerëz këto katër vite e kusur? Si ka ecur procesi? Si kanë qenë ritmet, kanë qenë të shpejta apo të ngadalta? Pse kanë qenë të ngadalta? A janë ndodhur para presioneve ata? A kanë qenë para presioneve faktorët e tjerë të vetingut? Kush iu ka bërë presion? Çfarë mund të korrigjohet”, tha ai.
Ndërkohë edhe pse Partia Socialiste ka propozuar shtyrjen e afateve të vetingut, nga ana tjetër Komisioni i Venecias ka rekomanduar që të mbyllet sa më shpejt vetingu sepse krijon kaos në gjykata.
“Ndërsa reforma e Gjyqësorit dhe procesi i vetingut mbeten prioritet dhe duhet të çohen në fund, duhet të vlerësohet nëse rregullat siç janë aplikuar janë të duhurat dhe lejojnë për një përfundim të shpejt të procesit të vetingut, veçanërisht në rast se vetingu i gjyqtarëve çon në gjykata jofunksionale, sidomos ato më të rëndësishmet”, thuhet në raport.
Diskutime rreth kësaj post