Ish-kryeministri dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e kryeministri Albin Kurti janë përplasur ashpër në Kuvendin e Kosovës për çështjen e veriut të vendit.
Haradinaj tha se dyshon që Kurti i ndërmori dy veprime për aksione policore në veri, me qëllim që këtë pjesë të Kosovës “ta dorëzojë”. Ndërsa Kurti u tha se në veri nuk ka pasur kurrë më parë më shumë rend e ligj sesa tash.
“Në veri të Ibrit ka më shumë rend e ligj tani e sot sesa kurdoherë tjetër që nga shpallja e pavarësisë. Asnjë barrikadë nuk ka në veri të Kosovës. A ka shumë punë dhe sfida? Po, sepse ato janë të trashëguara. Por një nga një dhe krejt do t’i zgjidhim”, deklaroi Kurti.
Ai e përmendi takimin e Haradinajt me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq në vitin 2018.
“Veriu ka qenë i rrezikuar atëherë kur deputeti Haradinaj e priste në zyrë kriminelin Milan Radoiçiq. Atëherë ka qenë veriu i rrezikuar. Rreziku ka qenë nga marrëveshjet gjentelmene me kriminelë. Nuk e rrezikon veriun Policia. Veriun e rrezikojnë kriminelët dhe bashkëpunimi i tyre me politikanë të të gjitha ngjyrave dhe përkatësive. Dhe kjo ka ndodhur publikisht në korrik të vitit 2018”, tha Kurti.
“Fjala e Z.Haradinaj është sulm në moralin e policit të Kosovës, që ai kur të shkojë në veri të ketë dilema. Kot e keni Z.Haradinaj”, shtoi kryeministrti.
Në kundërpërgjigje, Haradinaj tha se i beson Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, por theksoi se dyshon në veprimet e Kurtit, të cilat tha se frikësohet se janë ndërmarrë qëllimshëm dhe vetëm për një arsye.
“Është interesant. Ne jemi këtu deputetë dhe politikanë dhe mundohemi me e kthy diskutimin te morali i trupave në terren. Unë nuk e kam qëllimin te morali i trupave se i besoj Policisë së Kosovës, i besoj ushtarit të Kosovës. Unë frikën e kam te ti kryeministër, që ti qëllimshëm i ke ndërmarrë dy veprime me e dorëzu veriun. Unë besoj që është skenar i yti me i marrë dy veprime, me e lënë pastaj zbrazët që me u forcu kriminelët dhe i ke bërë qëllimshëm. Kaq”, tha Haradinaj.
Diskutime rreth kësaj post