Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani dje në një dalje televizive ka vijuar me akuzat ndaj kreut demokrat Lulzim Basha. Ristani tha se Basha në bashkëpunim me mazhorancën është duke u përpjekur të fundosë partinë, por nuk do t’ia arrijë dot. Ai u shpreh PD tashmë ka dy pole, anëtarësinë dhe kryetarin autokrat duke iu referuar Bashës. Sipas tij, kreun demokrat kanë nisur ta lënë dhe nervat duke thirrur llum njerëzit që kanë qenë në parti para tij.
“Nga pikëpamja e statutit, kryetari i PD-së nuk ka të drejtë të marrë vendime, pasi vendimmarrja është kolegjiale. Basha është në të njëjtin shtrat që ka qenë gjithmonë, jashtë ligjit dhe statutit dhe në bashkëpunim me mazhorancën po tenton të fundosë partinë, por që nuk do ia dalë dot. Janë bërë sondazhe më parë mbi imazhin e pëlqimit të Bashës nga anëtarësia dhe ka qenë në kufijtë e 20%. Nuk kemi tamam dy pole, pasi është anëtarësia dhe kryetari autokrat, po fillon ta lëshojnë dhe nervat i ndodhur në këtë situatë pasi po quan llum njerëzit që kanë qenë në PD para tij”, tha Ristani.
Ai u ndal edhe tek mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD për të cilin u shpreh se shumica vendos dhe askush nuk mund ta pengojë atë. Ristani u shpreh se një masë e madhe njerëzish i janë përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me mbledhjen e Kuvendit teksa deklaroi se kjo do të shërbejë që PD të vijë në pushtet. Sipas Ristanit, Kuvendi nuk do të mblidhet për të diskutuar vendimet e DASH, por do të mblidhet për statutin e PD dhe mënyrat që mund ta çojnë atë në fitore.
“Mbledhjen e Kuvendit, në rast se shumica e vendos nuk ka pengesë për të. Nga ecuria që ka lëvizja për mbledhjen e Kuvendit jemi në kufijtë 70-80%, është masë e madhe që i janë përgjigjur Berishës. Kjo do shërbejë që partia të vijë në pushtet për të mirën e të gjithë qytetarëve. Kuvendi nuk mblidhet për të diskutuar vendimet e Departamentit të Shtetit Amerikan, por për statutin e PD-së në mënyrë që ta çojmë para drejt fitores”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post