Partia Demokratike ka dalë me një reagim të fortë në lidhje me krizën energjetike që ka paralajmëruar kryeministri Rama se pritet të godasë vendin tonë.
Në një dalje për mediat, deputetja e PD-së, Ilda Dhori tha se në 3 tendera sipas tyre korruptive u shkaktua një dëm prej 40 milionë eurosh.
Sipas PD-së, nuk bëhet fjalë për një krizë globale, por krizë korrupsioni nga ana e qeverisë. Mes të tjerash PD i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë shkaktarët e kësaj krize.
Deklarata e PD:
“Prej ditësh qeveria po përpiqet të shesë si krizë energjie, krizën e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të KESH dhe OSHEE.
Pas kësaj krize, qeveria po përpiqet të fshehë përgjegjësitë e saj, për gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet shumica e familjeve shqiptare dhe sipërmarrësit e ndershëm, që nuk konkurrojnë dot në një ekonomi jo konkuruese, të përqëndruar në pak duar.
Që kjo është një krizë korrupsioni dhe jo energjie, kuptohet edhe nga zgjedhjet e papërgjegjshme që qeveria ka bërë vetëm midis muajve shtator dhe tetor.
Sepse ndërkohë që flasin për krizë, u kanë shkaktuar qytetarëve shqiptarë një dëm ekonomik prej 40 milionë eurosh.
1) 10.6 milionë euro për blerjen e energjisë me çmimin më të lartë se bursa nga ana e OSHEE;
2) 12 milionë euro, duke përzgjedhur kompaninë me ofertën më të shtrenjtë për tunelin e Llogarasë;
3) 17.4 milionë euro, duke përzgjedhur ofertat më të shtrenjta për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Pra, të nderuar qytetarë, kriza për të cilën flasin, është për ju, jo për qeverinë.
Sepse ndërkohë që varfëria, papunësia, çmimet dhe listat nëpër dyqane rriten, qeveria vazhdon të dëmtojë interesat e qytetarëve shqiptarë.
Partia Demokratike ka denoncuar dhe do të denoncojë të gjitha skandalet e kësaj qeverie dhe i bëjmë thirrje SPAK të hetojë me përparësi këto shpërdorime, me taksat e shqiptarëve duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Qytetarët e vendit më të varfër në Europë, nuk mund të paguajnë nga xhepat e tyre abuzimet e qeverisë më të korruptuar në Europë.”-shprehet PD.
Diskutime rreth kësaj post