Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka folur lidhur me debatet brenda PD, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa ishte i ftuar në një studio televizive, deputeti demokrat Gjekmarkaj shprehu bindjen se takimet e ish-kryeministrit Berisha me demokratët është një nismë e nxitur nga interesat personale.
“Filloi këtë lëvizje kur ai u lëndua nga vendimi i Bashës për ta pezulluar nga PD-ja, shtysa është personale. Thotë të vërtetën. Sigurisht që PD-ja ka problem dhe PD-ja nuk mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe pas kësaj PD-ja nuk mund ta vazhdojë më rutinën e zakonshme”, deklaroi ai.
Ndërkohë drejtuesi politik i Qarkut të Lezhës këshilloi kryetarin Basha të jetë i hapur ndaj thirrjes së Kuvendit Kombëtar të demokratëve, duke zbuluar se shefi i selisë blu mund ta mbledhë këtë forum para ish-kryeministrit Berisha.
“A mund të bëjë Kongres PD-ja? Mund ta bëjë para Kongresit që ka kërkuar Berisha. Mendoj që Basha duhet të shtrijë duart 180 gradë për të gjithë, por edhe të tjerët të kenë dëshirën që të vijnë. Nuk mund të vijnë me thikë për ta ngulur në brinjë, ndërkohë që tjetri do të dojë t’i përqafojë për qëllim të përbashkët, jo interes politik, por pragmatizëm politik”, nënvizoi deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj.
Nga ana tjetër edhe analisti Mustafa Nano ka komentuar dje zhvillimet e fundit politike dhe sidomos ato që po zhvillohen në gjirin e opozitës. Gjatë një prononcimi për mediat, Nano theksoi se mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD nga Lulzim Basha do të “fikë” lëvizjen e ish-liderit Sali Berisha. Sipas Nanos, në këtë mënyrë vula e PD do t’i mbetet Bashës.
“Kuvendi që mbledh Basha është legal. Ai mund ta bëjë nëse delegatët janë në linjën e tij. Në këtë mënyrë dhe Berisha fiket me lëvizjen e tij. Vula mbetet në duart e Bashës dhe vula është e rëndësishme”, deklaroi analisti, Mustafa Nano.
Diskutime rreth kësaj post