Gazetarja Arta Marku përmes një postimi në rrjetet sociale ka shpërthyer ndaj Frrok Çupit dhe të gjithëve atyre që kritikojnë emisionet e RTSH-së. Sipas saj këto emisione nuk kanë shikueshmërinë e ‘Përputhen’, po vlerat që transmetojnë janë të pakrahasueshme.
Shkruan Arta Marku:
“Një PALIMPSEST është një dorëshkrim mbi të cilin teksti i shkruar më parë është fshirë për t’i bërë vend një teksti të ri. Materialet mbi të cilat dikur shkruhej, duke mos qenë letrat, si sot, kushtonin. Merreni me mend një pergamenë lëkure çfarë kostoje (në shumë kuptime) ishte për hir të shkrimit. Por duhej shkruar. E nga ana tjetër diçka duhej sakrifikuar. Për paradoks, vetë shkrimi. Atëherë, lindte nevoja që të ripërdoreshin të njëjtat pergamena për shkrime të reja. Shkrimet e vjetra s’kishin tjetër destin veç fshirjes. Por edhe të rejave do të vinte një ditë e, me t’u bërë të vjetra, do të fshiheshin…
DO TË ZHDUKESHIN?
Në të vërtetë, sadoqë i ishte hapur vend shkrimit të ri, shkrimi i vjetër nuk zhdukej, gjithsesi. Ishte fshirë por gjurmët kishin mbetur. Sot madje, me rreze lazer, është e mundur të lexohen plotësisht shkrimet e vjetra nën të rejat të vjetëruara edhe ato, duke vërtetuar se asgjë nuk zhduket përgjithnjë.
Duke e përdorur PALIMPSESTIN si një metaforë (padyshim s’jam e para) vetë qenien njerëzore e pashë si të tillë. Si një lloj PALIMPSESTI, pra. I pashë kohërat nëpër të cilat endet e vijon qenia njerëzore si të lidhura me një fill i cili herëdokur, pashmangshëm, bëhet i padukshëm, diçka ia fsheh shikimit, hollohet ndoshta, madje edhe këputet. I pashë shtresat e ekzistencës njerëzore të vendosura mbi njëra-tjetrën. Të poshtmet, sa më thellë të jenë, në mos fshirë, janë spostuar a ngjeshur për t’i bërë vend një shtrese të re që lëshonte jeta… e kështu në mënyrë të pandërprerë.
Si një lloj PALIMPSESTI, pra, e pashë njeriun kur ideova, këtu e katër vjet të shkuara, programin radiofonik me të njëjtin titull.
Përvojat e individit i përfytyrova si shtresat që koha i lëshon mbi njëra-tjetrën, teksa KUJTESA dhe HARRESA i lenë vend njëra-tjetrës herë mirë e herë keq.
Si janë përvojat e dikujt?
Cilat janë ngjarjet apo njëra syresh që teksa i ka ndodhur i është shndërruar në leksion jete?
Çfarë mësimi ka përftuar?
Po kujtesa si e ka ndihmuar?
Po harresa sa e ka penguar?
Po e mira dhe e keqja a janë të barazvlefshme përkatësisht me kujtesën dhe harresën? Apo nuk është gjithnjë kështu?
Po vetëdija për përmbajtjen e depozitës së kujtesës a ekziston? Ka “sende” të humbura apo të harruara brenda saj? Apo njeriut thjesht i duket sikur e ka humbur diçka (një copëz jetë të djeshme), ngjashëm me paraardhësit e tij të lashtë që kujtonin se e kishin fshirë shkrimin mbi pergamenë po palimpsesti ia kish ruajtur?
Po koha që ikën si e ndryshon njeriun?
Po rasti, rrethanat sa e kanë në dorë atë?
Po lufta dhe paqja pse ndërrojnë vazhdimisht vendet? Pse jetën e perceptojmë si një seri betejash të njëpasnjëshme dhe me armëpushimet pse mjaftohemi në vend që të kërkojmë fitoren përfundimtare të luftës…?
Për këto e të tjera kësisoj mendova t’i pyes të ftuarit e mi duke i kërkuar që të mbështeteshin në përvojat e tyre vetjake të cilat i përfytyroja si leksione jete të drejtpërdrejta për dëgjuesit. I përfytyrova dhe kështu më rezultoi: nga ato lloj leksionesh që të depërtojnë brenda qenies e nisin e lëvrijnë me gjakun.
Dhe “shfletova” palimpsestet vetjake dhe tërësisht origjinale, me gjithë mbivendosjet e atykëtushme, të Ardian Ndreca, Besnik Mustafaj, Ardian Vehbiu, Ylljet Aliçka, Irena Toçi, Pandi Laço, Matteo Mandala, Ilir Alimehmeti, Robert Ëilton, Ema Andrea, Erion Kristo, Ardi Asllani, Monika Stafa, Pali Kuke, Namik Dokle, Andri Xhahu, Ermenita Stafa, Adi Krasta, Mirela Kumbaro, Valentina Leskaj, Rudina Xhunga, Nevila Nika, Altin Basha, Anila Denaj, Mimoza Hysa, Inva Mula, Lili Sula, Enkel Demi, Bledi Strakosha, Eleni Laperi, Diana Kastrati, Dom Gjergj Meta, Anisa Ymeri, Erion Veliaj, Erand Llanaj, Oana Anca Mihaela Glasu, Liridon Mulaj, Rezarta Reçi… dhe lista vazhdon dhe vazhdon me persona që jo vetëm kanë ç’rrëfejnë por sidomos rrëfimet e tyre ia vlen t’i dëgjosh…
Ishin të mrekullueshme përvojat dhe interpretimet që u bënë të ftuarit e mi në PALIMPSEST, në studion e RADIO TIRANËS.
Sa për mua, thjesht pyesja, asgjë më shumë.
*
Po pse gjithë ky shpjegim, mund të mendoni ju?
Po ja: pashë Frrok Çupin mbrëmë, qe teksa nisi të lexonte një listë me tituj pogramesh të Radio Tiranës, duke dashur ta diskretitonte atë kanal radiofonik për cilësinë jashtëzakonisht të dobët (sipas tij) dështoi te shqiptimi i saktë i fjalës PALIMPSEST. U përpoq disa herë dhe më në fund bëri një shqiptim tërësisht individual që me fjalën vetë s’kishte të bënte. “ÇFARË ËSHTË!” – tha më në fund, por nuk mori përgjigje. Fundja s’ishte qëllimi i programit ku e kishin ftuar…
Pra, në një farë mënyre po ia shpjegoj. Edhe pse, me gjasë, nuk i intereson ta dijë.
Duhet ta pranoj se PALIMPSEST nuk është fjalë e fjalorit tonë aktiv ndaj dhe më ka ndodhur shpesh e më ndodh ende, që të më pyesin për kuptimin e saj.
Asgjë të keqe s’ka. Nuk dimë gjithçka, ndaj dhe ekziston pyetja…
Edhe Frroku, ndoshta, mund të më kish pyetur, por atij kurrë s’i ndodhi ta dëgjonte programin para se të lexonte titullin e tij mbi një letër teksa ndodhej në një studio televizive ku kishte shkuar në të vërtetë jo për të gjykuar një fjalë a një titull, por përmbajtjen.
Asgjë për t’u habitur s’ka. Tashmë, të gjykosh diçka pa e njohur më parë është krejt e zakonshme mes nesh. Rasti i mbrëmshëm është veç njëri, i radhës, mes të panumërtve. Pse u dashka që Frrok Çupi të bëjë përjashtim?
Nuk ndiqet tha ai, veçmas për PALIMPSESTIN. Askush s’e ndjek, këmbëngulte.
*
Këmbëngulja e tij më solli në mendje një histori të largët me një tjetër program timin, BIBLIOTEKËN.
Kur për herë të parë e hapa BIBLIOTEKËN në një tv privat, pata mbështetjen e pakushtëzuar të Zana Çelës. Ishte drejtoresha. S’kish për të ndodhur pa të, sepse pak pasi ajo u largua nga ai Tv, padroni vendosi t’a mbyllte edhe BIBLIOTEKËN. Pata atëherë idenë naive të trokisja në dyer televizionesh të tjerë. Dhe më thanë:
“E kujt i rruhet për librin?”
Naiviteti nuk më braktisi megjithatë dhe trokita në një tjetër derë ku gjeta njëfarë “elegance” në pëgjigje. Më thanë:
“S’të paguan njeri që të lexosh një libër në javë”.
Në thelb, në të dyja rastet qëndron, i njëjti “hall” me atë të Frrok Çupit: MOSNDJEKJA.
Kur e rihapa BIBLIOTEKËN, në RTSH, pata propozimin e papritur, të mirëpritur e po aq të shumëpritur, nga Martin Leka, që mesa duket sikundër Zana Çela në distancë kohore, nuk shqetësohej nga “MOSNDJEKJA”.
Ja ku u bëmë, bashkë me mua, tre vetë, që kemi një koncept tjetër për MOSNDJEKJEN që s’ka e s’mund të këtë të bëjë me fenomenin PËRPUTHEN. Se nuk mund të përputhen. NUK DUHET për më tepër.
MOSPËRPUTHJA më solli edhe ajo në mendje një histori akoma më të largët. Një “konflikt” i vazhdueshëm i këtu e 30 viteve të shkuara mes meje dhe një kolegu të sportit. Kishim një faqe të përbashkët gazete, gjysma kushtuar kulturës e gjysma kushtuar sportit. Më vonë gazetës do t’i shtohej numri i faqeve, për pasojë edhe rubrikave tona. Por ende jo në 1994 e largët, ndaj ne “grindeshim” çdo ditë sepse secili donte pjesën më të madhe të faqes. Cili duhej të hapte rrugë në “sherrin” e përditshëm? Cili prej nesh duhej ta shkurtonte artikullin? Argumenti i kolegut të sportit ishte logjik: teatri ka (asokohe) 250 vende stadiumi 10000 (e dyfishuar sot). Çfarë ndryshimi mes numrit të lexuesve të të dy rubrikave. Në këtë mënyrë, me gjuhën e shifrave, mua më takonte vend sa për titullin. Apo më mirë fare? LËRE FARE!
Tashmë jemi te libri. Libraritë janë kaq të vogla. Akoma më të vogla se kudo nëpër Evropë, këto të Tiranës. Vetëm ca vite të shkuara kishin përmasat e një qoshku që nuk zinte brenda më shumë se sa shitësen. Nëpër qytete të tjera si duhet të jenë, ende? Ndoshta si qoshkat e vjetra të Tiranës, me xhama që e kanë humbur tejdukshmërinë? Ndoshta s’ka fare? Ndoshta diku diku, për hir të ndonjë pasioni u bëhet vend librave në ndonjë kancelari, mes lapsave dhe gomave që u duhen nxënësve, anash printerit që veç shkollarëve u duhet të gjithëve për të printuar ndonjë dokument?
Kështu pak a shumë. E duke qenë kështu:
Kujt i rruhet për BIBLIOTEKËN?
Kujt i rruhet për PALIMPSESTIN?
Tjetër gjë do të kish qenë nëse Besnik Mustafaj, Mira Meksi, Ilirian Zhupa, Ylljet Aliçka, Visar Zhiti, (s’po e përsëris listën që vijon me pjesën më të madhe të shkrimtarëve e poetëve shqiptarë bashkëkohorë, me përkthyesit e studiuesit më në zë sot…) do të rivalizonin TË PËRPUTHURIT që i bënë shkodranët të dyndeshin në oborin e Teatrit Migjeni (u mbush edhe oborri i teatrit jashtë parashikimeve të kolegut tim të sportit), duke ëndërruar një përqafim, a një fotografi që do ta dëshmonte publikisht takimin historik në fb apo instagram.
Sigurisht që PËRPUTHEN, NDIQEN, SHUMË, shumë, shumë fare…
Por nuk ndodh, as ka për të ndodhur kurrë me argument kulturore a letrare. Askund.
Sidoqoftë unë bashkëngjitur po postoj një PALIMPSEST.
Me gjithë papërputhshmërinë me Frrok Çupin, mund të ketë përputhshmëri me të tjerë, ashtu sikurse shumë programe të Radio Tiranës…
Për këta të fundit, NDJEKJE të këndshme!”-shkruan Marko.
Video:
Diskutime rreth kësaj post