Flamur Hoxha, deputeti i Partisë Demokratike për Kukësin mungoi sot në “Foltoren” e ish-kryeministrit Sali Berisha në këtë qytet. Në një shënim të gjatë në rrjetet sociale, Hoxha rrëfen rrugëtimin e tij në këtë forcë politike, ndërsa argumenton pozicionin e tij.
Deputeti thekson se i kupton zërat spontanë, siç i quan ai për të dalë nga institucionet, por nënvizon se nuk e ka menduar kurrë të dalë nga PD.
“Unë nuk jam në PD për hatër te askujt as për mëshirë te ndokujt, jam në PD për hir të familjes e historisë time,” shprehet ai, ndërsa e mbyll mesazhin me një thirrje për të mos u përçarë.
Deklarata e plotë:
“Të dashur demokratë, votues e miq të mi.
Uroj që këtë status secili ta lexoje larg emocioneve e sa më afër realitetit objektiv të PD prej 30 vitesh. Asokohe isha 23 vjeçar kur u bëra anëtarë nismëtar i saj, i PDSH.
Unë jam votuar nga mijëra qytetarë e demokrate kuksiane që të jem deputet i PD. Ndjehem krenar dhe jam mirënjohës thellësisht votuesve të mi e të PD.
Unë jam një individ në oqeanin PD, kontribues i përjetshëm pa kushte dhe gjithnjë pranë në kohërat e vështira te saj.
Njerëzit që më kanë njohur e dinë se nuk jam rastësisht në anijen PD, nuk jam rastësisht antikomunist të cilën e kam të shkruar në lëkurë me plumba.
Edukata, pjekuria e formimi im më kanë diktuar gjithmonë të jem institucional. Prandaj jam e do të jem pjesë e institucionit të madh PD, pjesë e forumeve zyrtare të zgjedhura me votat e demokratëve, pjesë e grupit parlamentar të PD.
I mirëkuptoj zërat spontane që thërrasin të dalim nga institucionet por nuk e kam menduar kurrë të dal nga institucioni i shenjtë PD.
Jeta ime si dhe fjala është e shenjtë edhe në misionin fisnik per te kontribuar politikisht në PD ku gjendem natyrshëm. Unë nuk jam në PD per hatër te askujt as për mëshirë te ndokujt, jam në PD për hir të familjes e historisë time.
Miq demokrate, jemi shumë e më shumë të bashkuar, jemi pak për të qenë të ndarë e të përçarë, garojmë në kontribute për PD dhe jo në përfitime prej saj.
Mirënjohje për ju!
Flamuri”, ka shkruar ai.
Diskutime rreth kësaj post