Në takimet e para, “Foltorja” e Sali Berishës i pushtoi ekranet e televizioneve në kohë të plotë, për vetë kuriozitetin që përbënte rikthimi i liderit historik të demokratëve edhe një herë tjetër në politikën aktive. Por audienca që Berisha thith në media ka provokuar shpesh pakënaqësi.
Kjo ra në sy në takimin e parë të Berishës, kur në të njëjtën orë që nisi Foltorja e tij në Tiranë, në ekran ishte parashikuar të transmetohej një intervistë ekskluzive e ambasadores amerikane Juri Kim në Zërin e Amerikës, ndërsa në të njëjtat minuta zhvillohej live në parlament debati Rama-Basha.
Më tej, në takimet e fundit u vu re edhe përzgjedhja, që nisën të bënin disa televizione apo portale duke reduktuar kohën e transmetimit të takimeve të Berishës, për vetë konsumimin e diskutimeve dhe temave të foltores.
Por një nga ata që i qëndroi transmetimit me kohë të plotë të takimeve të Berishës është Klannews, pjesë e Klan që sot është sulmuar nga Lulzim Basha si një televizion “provincial”.
“Nuk i takon një televizioni me licensë kombëtare të sillet si një televizion provincial, i cili shmang të vërtetat apo deformon të vërtetat” tha Basha duke qartësuar se këtë kunjë nuk e kishte me gazetarët e televizionit. “Është mirë të jesh objektiv dhe të jesh objektiv duhet të thuash të vërtetën” u shpreh Basha.
Ndërsa fliste para gazetarëve Basha nuk e sulmoi drejtpërdrejt Berishën. As ia përmendi emrin, as nuk artikuloi akuza direkte ndaj tij. Gjatë fjalës para gazetarëve, ai foli për llum të qeverisjes së PD dhe shpjegoi pse kishte ndëshkuar Flamur Nokën.
Diskutime rreth kësaj post