Në Shqipëri, qeveria vendosi sot të shpallë emergjencën energjitike. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama pas një mbledhjeje jashtë radhe të qeverisë. “Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumenta financiarë qoftë dhe me instrumenta të natyrës administrative”, shpjegoi kryeministri, duke shtuar se “me këtë vendim i hapim rrugë dhe ekzekutimit të mëtejshëm të planit të posaçëm për të përballuar këtë situatë”.
Plani i masave pritet të bëhet publik nesër, dhe kryeminisri nuk dha asnjë detaj se cilat do të jenë ndërhyrjet për përballimin e situatës.
Në Europë rritja e ndjeshme e çmimeve të energjisë elektrike, ka pasuar rritjen e çmimit të gazit, qymyrit apo dhe naftës. Efektet në Shqipëri, vijnë për shkak të faktit se vendi në këtë periudhë është i detyruar të importojë për të mbuluar pamundësinë e furnizimit të plotë nga prodhimi vendas. Çmimet aktuale të importit kanë kërcyer në nivele shumë të larta. Kryeministri Rama deklaroi se synimi i qeverisë “është që të mbrojmë konsumatorët tanë, sigurisht me një rend prioritetesh nga poshtë lartë. Ata që janë më në nevojë e duke vajtur më lart. Pra nga më të dobtit te më të fortët”, u shpreh ai pa shpjeguar sërish se në çfarë mënyre.
Zoti Rama mohoi mundësinë e një rritjeje të çmimit të energjisë për qytetarët, megjithatë ai paralajmëroi se kjo situatë nuk do të mund të kalojë pa kosto. “Eshtë shumë e rëndësishme që ne të bëjmë gjithshka , por i them çdo qytetari se hesapet janë hesape, dhe kjo është shtëpi e përbashkët dhe si në çdo shtëpi të vogël dhe shtëpia jonë e madhe ka mundësitë e veta jo të pakufizuara dhe ka përgjegjesinë e përbashkët për ta mbajtur atë në këmbë”./voa
Diskutime rreth kësaj post