Me dhjetëra qytetarë kanë dalë në protestë kundër rritjes së çmimit të bukës, ushqimeve të shportës dhe karburanteve. Protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë dhe bënë thirrje për uljen e çmimeve.
“Çmimet po rriten, familjet po shkojnë drejt mjerimit”, janë shprehur ata dhe kanë shtuar se kanë dalë në shesh për kërkesa ekonomike dhe jo politike.
Mes tyre kishte qytetarë të thjeshtë, aktivistë dhe artistë të ndryshëm. Mësohet se në tubim nuk ka pasur përfaqësuesë politik.
“Për të gjithë ata miliona që na shohin sot nga ekrani këtu përmes medias, kam disa pyetje për ta. Sa do duroni? A nuk u ngopët? A nuk ia patë hajrin servilizimit dhe nënshtrimit? Për çfarë? Për çfarë? Që një syresh të pasurohen, që një syresh në këtë republikë të bëjnë pushime në vendet më të shtrenjta të botës, që një dorë e kësaj republike të ketë shtëpi në Tiranë, në Vlorë, në bregdet, shtëpi në Milano, shtëpi në New York? Fatkeqësia e një vendi është kur bijtë dhe bijat e shkolluar, ata më të mirët, që u beson fatet e veta, e keqpërdorin për të dhëna materiale për një benz më shumë, për një palë pushime më shumë. Kthehuni në interesin tuaj. Boll më në interesin e partive politike”, tha aktivisti Adriatik Lapaj.
Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, raportoi se ka qenë i pranishëm një qytetar me një flamur të një partie politike, por nuk është lejuar që të bëhet pjesë e protestës.
Përreth kryeministrisë ndodhen shumë forca policie për të menaxhuar protestën.
Qytetarët paralajmëruan protestën pas rritjes së çmimit të bukës e karburantit dhe pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama se jemi përballë një krize të jashtëzakonshme energjitike me të cilën po përballet e gjithë bota./tvklan
Diskutime rreth kësaj post