Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, e cila është dhe drejtuese e radhës e OSBE, në vizitën e saj zyrtare në Shqipëri, ka folur për integrimin e vendit tonë drejt BE-së. Në fjalën e saj, pas takimit me ministren Olta Xhaçka, drejtuesja e OSBE tha se Suedia mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Suedia mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë. Suedia mbështet reformat tuaja në rrugën drejt BE-së. Vendim i BE për të çelur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë është një gur kilometrik për marrëdhëniet tona. Ne u inkurajojmë që të vijoni reformat”, u shpreh Ann Linde.
Më tej, ministrja e Jashtme e Suedisë theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me këtë organizatë janë të shkëlqyera dhe do të thellohen më tej në vijim. Nga ana tjetër, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se në BE ka një paqartësi lidhur me hapat e mëtejshëm të rajonit në procesin e integrimit.
Fjala e plotë e ministres Xhaçka:
“Pata kënaqësinë e veçantë të mirëpres, sot në Tiranë, Kryetaren e Radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, njëkohësisht Ministre e Jashtme e Suedisë, zonjën Ann Linde. Kjo vizitë, në një anë reflekton marrëdhëniet e shkelqyera politike mes vendeve tona, por mbi të gjitha, shpresoj që kjo vizitë të çelë një kapitull të ri në marrëdhëniet e shkëmbimet mes nesh, qoftë në dimensionin bilateral, qoftë në atë multilateral, sepse ne kemi sot disa mundësi konkrete për të bashkëpunuar ngushtë në forume të rëndësishme ndërkombëtare si OSBE apo Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo vizitë, që vjen në fakt si pjesë e një turi rajonal të Ministres Linde, është një tregues i rëndësishëm i vëmendjes që Suedia dhe presidenca suedeze e OSBE-së tregojnë ndaj rajonit tonë. Kjo vëmendje është realisht e mirëpritur sepse siç e dimë të gjithë, rajoni ynë ndodhet në një moment që kërkon shumë vëmendje dhe shumë angazhim multilateral.
Ndodhemi në një moment ku vetë rajoni, pavarësisht vështirësive e momenteve delikate si ai i tensioneve në veriun e Kosovës, ka hedhur hapa shumë të mëdha përpara në rrugën e stabilizimit, zhvillimit e bashkëpunimit. Por ku siç e dimë të gjithë ka një paqartësi, që vjen nga BE, lidhur me hapat e mëtejshme të rajonit në procesin e integrimit europian. Dhe kjo paqartësi sigurisht, krahas dëmit që i bën reputacionit të BE, dëmton edhe paradigmën mbi të cilën është ngritur stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor.
Prandaj, angazhimi aktiv i Presidencës suedeze dhe vëmendja e treguar ndaj rajonit, është një mesazh, që sigurisht është lexuar siç duhet si një mesazh angazhimi e mbështetje.E garantova kolegen për gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar, jo vetëm në rajon, ku vendi ynë prej dekadash tanimë luan një rol të rëndësishëm si një shtyllë stabiliteti e eksportues sigurie, por edhe më tej, duke ndarë me Presidencën Suedeze eksperiencën tonë në krye të OSBE, e cila ishte një eksperiencë e suksesshme në një kohë vërtet sfiduese e me probleme komplekse.
Rajoni ynë, vetë Shqipëria, janë prova më e pakundërshtueshme e transformimit pozitiv që mund të sjellë angazhimi multilateral edhe në zona me konflikte që duken të pazgjidhshme. Është një eksperiencë historike që ka formësuar përkushtimin e vendit tonë ndaj organizatave ndërkombëtare dhe multilateralizmit.
Por, Shqipëria ka edhe një eksperiencë krejt të posaçme me OSBE, pasi kjo organizatë ka luajtur një rol vendimar në zhvillimet demokratike në Shqipëri por edhe në përmirësimin e situatës së sigurisë në rajon, etj.
Kjo eksperiencë ka qenë realisht e vyer gjatë kryesimit të OSBE nga vendi ynë dhe padyshim që jemi të gatshëm ta ndajmë atë me ekipin suedez të koleges Linde, pasi vendet tona ndajnë shumë qëndrime e prioritete të njëjta që mund të çohen përpara vetëm falë bashkëpunimit.
Ne të gjithë e dimë që për vende të vogla si Shqipëria, por edhe për vende me mundësi e peshë shumë herë më të konsiderueshme sesa ne, siç është Suedia, shpesh është e vështirë të çosh përpara agjenda ambicioze. Aq më tepër kur bëhet fjalë për agjenda që dalin jashtë kornizës së interesave të drejtpërdrejta ekonomike apo gjeopolitike. Por, jam e lumtur që ndajmë të njëjtin besim që kur vende si vendet tona dinë të bashkojnë forcat, të krijojnë sinergji e të mbajnë gjallë diskutime të rëndësishme në forumet e mëdha ndërkombëtare, shancet e suksesit bëhen mjaft më të mëdha.
Është kjo arsyeja përse përtej OSBE, unë jam shumë e kënaqur që gjeta gatishmërinë e koleges për të bashkëpunuar edhe në çuarjen përpara të disa prioriteteve të rëndësishmë të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, ku për fat të mirë, vendet tona kanë jo vetëm bindje por edhe interesa të përbashkëta. E kam këtu fjalën për agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, të drejtat e njeriut, luftën kundër ekstremizsmit të dhunshëm, ku jam e bindur që mund të kemi një bashkëpunim të ngushtë e të krijojmë sinergji interesante.
E dashur kolege, dëshiroj t’ju falenderoj përzemërsisht për prezencën tuaj këtu si dhe t’ju uroj suksese në muajt e mbetur të kryesimit të OSBE-së, duke rikonfirmuar ndërkohë vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për bashkëpunim, gjithëpërfshirje dhe kontribut në multilateralizëm.”-shprehet Xhaçka.
Diskutime rreth kësaj post