Edit Harxhi u shpreh sot se do ta mirëpriste një ftesë nga ish-kryeministri Sali Berisha për t’iu bashkuar lëvizjes së tij për rrëzimin e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së. Ajo theksoi në emisionin ‘Breaking’, se ‘Grupi për PD’ prej kohësh ka ndarë këto kritika që Berisha po i shpreh ndaj Bashës. Ndërsa ka theksuar se janë mbledhur pothuajse dyfishi i firmave të anëtarëve të Kuvendit, nga 1500 që kërkon statuti për të mbledhur Kuvendin e PD-së.
Harxhi deklaroi se ka shumë deputetë të PD-së, që edhe pse nuk kanë dalë publikisht mbështesin qëndrimet e Berishës. “Janë të shumtë deputetë që kanë shprehur edhe rezervat në mbledhjen e grupit të PD-së. Basha do të mbesë në Parlament me 10 deputetë gjithsej”, tha Harxhi.
PD në Parlament ka 59 deputetë gjithsej. Aktualisht Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu, Luan Baci, Edmond Spaho, Flamur Noka, Edi Paloka, Bujar Leskaj janë emrat e deputetëve që kanë mbështetur deri më tani publikisht Berishën.
Diskutime rreth kësaj post