Dosja e amerikanëve me provat kundër ish-kryeministrit Sali Berisha pritet që të publikohet shumë shpejt. Burime shumë të sigurta të gazetës bënë me dije se brenda tetorit, pritet që të dalin në dritë detaje të forta se përse amerikanët vendosën të shpallin të padëshiruar liderin historik të PD. Situata ditët e fundit është nxehur jashtë mase, pasi Berisha është hedhur në sulm për të larguar Bashën dhe kthyer PD kundër SHBA. Po ashtu ai shpeshherë ka kërkuar që të dalë një provë e vetme kundër tij. Të gjitha këto pritet të sjellin zhvillime të forta, pasi detajet që pritet të dalin do të jenë vendimtare për fatin e Berishës. Publikimi i tyre rrezikon të vërë në lëvizje edhe drejtësinë. Duhet theksuar se vetë i dërguari i DASH, Gabriel Escobar, tha pak ditë më parë se Uashingtoni është gati të sjellë dosjen.
“Në lidhje me kalimin e informacionit tek Shqipëria, ne kemi tashmë një bashkëpunim shumë të fortë në fushën e zbatimit të ligjit, por edhe në fushën ushtarake dhe përcjellim shumë informacione. Nuk do të komentoj për ndonjë procedurë të veçantë ligjore, por ne kemi partneritet të mirë me Shqipërinë”, tha Escobar.
Ndërkohë edhe ambasadorja amerikane kërkoi nga autoritet që të nisin hetimet ndaj ish-kryeministrit.
“Pavarësisht nëse këto vendime janë për në Shqipëri apo ndokund tjetër në botë, siç e thashë më herët, në momentin që këto vendime certifikohen nga Sekretari i Shtetit dhe shpallen nga Sekretari i Shtetit, ato janë shumë të dukshme dhe do të ishte me vend që autoritetet vendase të shikonin masat”, tha Kim.
Vetë Zv/Ndihmës Sekretari Escobar pak ditë më parë tha se është punuar për 8 vite mbi dosjen e Berishës dhe nëse dalin detaje prej saj, pritet që të shkundet politika. Sipas burimeve, aty flitet se ka dosje që nga Gërdeci, te pasuria e fëmijëve dhe afera të tjera të rënda. Vetë Berisha pak javë më parë dha detaje mbi këtë dosje, pasi lideri demokrat ia përmendi se është njohur me një pjesë të saj. Berisha ka thënë se mund të akuzohet për konspiracion ndaj SHBA, duke qenë se ka sulmuar ish-zv/ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer. Duhet theksuar se Berisha sulmoi Palmerin duke thënë se ai ka gruan serbe dhe kërkon të copëtojë Kosovën. Po ashtu familja e tij rrezikon të shpallet grup kriminal.
“Sanksione ishin që mund të quhesha grup kriminal, mund të më quanin ç’të donin. Nëse fillojnë sanksionet për konspiracion kundër politikës së SHBA dhe meqë vdiq ajo, unë meritoj lavdërim për ato qëndrime, nëse i keni parasysh ato që ka vendosur presidenti Biden. Më pas kalohet te korrupsioni dhe i thuhet që Berisha i di provat”, ka thënë Berisha në deklaratën e tij.
Po ashtu ai në intervistë tregoi se si u njoh nga Basha me paralajmërimet e SHBA.
“Ata i kishin thënë që nëse Berisha kështu dhe ashtu, atëherë sanksionet do të rëndohen tek fëmijët dhe te këto dhe ato. I thashë ç’të doni bëni. Jam ky që jam dhe ne kemi një qëndrim sepse ishte një gjë aty me thënë të drejtën, kuptova që çështja ishte të më mbyllej goja dhe mua nuk më mbyllet goja. Jo po pse ka thanë për Palmerin. Unë Palmerin kisha përmendur dhe kisha përmendur dhe Soros. Nuk e përmenda vetëm unë se kjo është e njohur”, është shprehur Berisha.
Diskutime rreth kësaj post