Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji tha se ngritja e Komisioneve Hetimore do të japin një fotografi më të qartë të situatës, masakrës zgjedhore duke çuar para drejtësisë autorët.
Salianji u shpreh se Reforma Territoriale është një reformë elektorale që ka ndryshuar qëllimin e miratimit në fillim. Më tej ai tha se në vijim të aksionit opozitar PD ka lajmëruar edhe ngritjen e 3 komisioneve të tjera hetimore këtë javë.
“Do të ketë produkt konkret që do të shoqërohet me sanksione. Është një çështje sensitive, marrja e të dhënave dhe përdorimi i tyre për interesa partiake. Pastaj vazhdojmë me shpërdorimin e parave publike duke rritur numrin e punonjësve gjatë fushatës i personave që përkohesisht i blihej vota. Kemi persona që kanë përdorur administratën për të përdorur vartësit, legalizimet, naftën e bujqësisë dhe që të gjithë elementët e tjerë që përbëjnë masakrën zgjedhore. Prandaj komisioni do të bëjë punën që insituticionet e tjera nuk e kanë bërë. Rezultati final do të jetë një fotografim i plotë i situatës dhe masakrës dhe nxjerrjes përpara drejtësisë drejtuesit e insituticioneve dhe të gjitha ndryshimet ligjore që do të bëjnë të mundur zgjedhje të lira. Me akte të përditshme dhe me ndihmën e partnerëve do të bëjmë të mundur të kemi një rrëzim të regjimit. Vetëm këtë javë janë gati kërkesat për depozitim për masakrën zgjedhore, për çështjen Beceti dhe komisioni për incerneratorët. Ne kemi gati për të depozituar një projekt për uljen e çmimit bazë të TVSH-së në 6%. Nuk po luajmë kukafshehti. Çfarë po ndodh në Shqipëri që po rriten çmimet, taksat? Jemi përballë një karteli dhe oligarkëve që ndajnë paratë me qeverinë. Shpresoj që të mos ketë kleçka dhe pengesa që PS do të tentojë të bëjë në miratimin e këtyre komisioneve. Propozimet do të vijë duke pasur në plan të parë interesin e qytetarëve. Reforma e fundit Zgjedhore është një reforme elektorale jo territoriale. Ne nuk po nisemi nga interesi i PD për rritjen e njësive zgjedhore. Ne do të bëjmë një analizë të plotë. Ka disa raporte studimore të cilat merren në konsideratë për të bërë të mundur decentralizimin dhe padiskutim të gjithë elementët e tjerë janë për t’u propozuar në bazë të diskutimeve”- tha Salianji.
Në fund i pyetur për ”dorën e shtrirë” të mazhorancës Salianji ka hedhur kategorikisht poshtë mundësinë e një bashkëpunimi. Sipas tij shpreson që të ketë dakortësi për reforma por nuk mund të ketë bashkëpunim kur interesat janë të kundërta.
“Ne jemi në parlament dhe do të jemi kudo për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Nuk ka bashkëpunim Rama-Basha. Lulzim Basha e thotë përditë,. Që të ketë dakortësi për reforma ti kundërshtarin nuk e zgjedh, por një bashkim siç thoni ju nuk do të ndodhë. Nuk ka në konotacionin që përmendet. Si mund të ketë bashkëpunim? Ne kemi interesa të kundërta. Kush ka më shumë interes më shumë këtu se kryetari i PD-së që do të bëhet kryeministër”- tha ai.
Diskutime rreth kësaj post