Avokati i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahir, zoti Maksim Haxhia ka reaguar dje pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila ktheu dosjen “Tahiri” për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Duke folur për mediat pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të prishur vendimin e Gjykatës së Apelit, avokat Haxhia u shpreh se tani që gjykata foli, ai dhe klienti i tij do të kërkojnë me insistim pafajësi.
“Ishin më të gjera sesa vendimi i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë nuk ka të drejtë të bëjë komente. Gjykata e Lartë u përqendrua vetëm në shkeljet e rënda proceduriale. Përfundimisht vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit. E ktheu çështjen në po të njëjtën gjykatë, por me trupë tjetër gjykuese. Ne jemi në insistimin tonë, kërkojmë pafajësi. Në tre pika kryesore Gjykata e Lartë përmendi shkeljet, në gjykim në Apel kanë marrë pjesë gjyqtarë që kanë cenuar paanshmëri, pasi kanë shfaqur mendim dhe kanë dhënë vendim me fakte të lidhura dhe nuk u shkëputën nga interpretimi i fakteve”, – deklaroi avokat Maskim Haxhia.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është treguar fjalëpakë para gazetarëve që prisnin vendimin ndaj tij. Pasi doli nga Gjykata e Lartë, ish-ministri Tahiri u shpreh se ai dhe avokati i tij do të ndiqnin procedurat ligjore.
“Do ndjekim procedurën, do shkojmë prapë në Gjykatën e Apelit! Faleminderit”, – deklaroi ai.
Ndërkohë, në 19 shtator të vitit 2019 ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahir hodhi akuza, teksa deklaroi se ishte dënuar pse disa kushërinj idiotë kishin përmendur emrin e atij.
“Do të ishte më mirë ta kishin bërë si burrat të më dënonin për trafik, se kështu është qesharake. Sigurisht që do ta apeloj. Si t’ia bëj për të gjithë kushërinjtë idiotë në fis duhet të mbaj përgjegjësi”, – nënvizoi Tahiri.
Diskutime rreth kësaj post