Kryetarja e re e parlamentit, Lindita Nikolla shprehet se do të hapë “një faqe të re në kuvend”, pasi do të përpiqet të shmangë tensionet dhe mosmarrëveshjet mes deputetëve gjatë seancave.
Në vitin 2016, kur reforma në arsim përjashtoi nga e drejta për shkollë të lartë shumë studentë, ish-kryeministrin Sali Berisha fajësoi Nikollën, atëherë ministre Arsimi dhe madje nuk kurseu as ofendimet për të.
“Edi Rama bashkë me këtë ndrikullën këtu janë përgjegjëse për situatën”, tha atëherë ish-kryeministri me ironi.
E ftuar në Top Talk, në intervistën e parë si kryeparlamentare, Nikolla premtoi se do të anashkalojë konfliktet e së shkuarës dhe do të punojë për “të ndryshuar faqen në kuvend”, duke iu referuar kështu të gjitha momenteve të debateve, tensioneve e madje përplasjeve fizike që ligjvënësit kanë pasur ndër vite në sallën e kuvendit.
“Nuk jam ndjerë mirë teksa i kam dëgjuar, lëndojnë këdo, por më vonë jam ulur e kam diskutuar krah Berishës për ligjin e Arsimit të Lartë…. Jam e vendosur për të kthyer faqen, në kuptim e mirë të fjalës, për të sjellë më shumë etikë, më shumë dialog, komunikim në sallën e parlamentit, që kur njerëzit ta shohin, të shohin një refleksion të një debati qytetar dhe të shëndetshëm për ligje të mira dhe të drejta”.
Po ashtu, Nikolla tregon “për një dy gjeste jo të hijshme” që kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë gjatë kohës që ajo fliste si kryetare gjatë seancës plenare, por thotë se beson “që këto momente do të tejkalohen.
Më tej ‘zotohet’ ta rikthejë kuvendin në tribunën ku diskutohet për hallet dhe shqetësimet reale të qytetarëve.
“Unë i kam menduar të gjitha sfidat dhe sinqerisht nuk kam asnjë moment për të cilin të kem dyshime për qëndrimin tim. Qëndrimi im do të jetë ai që ka formëzuar të gjithë qëndrimin në politikë. Nuk do të thotë që të jesh e vendosur dhe të bësh detyrën, të bërtasësh. Nuk do të thotë të jesh tolerante dhe të mos dish të zbatosh ligjin. Pra, janë një set shprehish dhe aftësish që më kanë ndihmuar në karrierën time politike dhe do të vazhdoj t’i kem armë të forta dhe në detyrën e kryetares së parlamentit, që do të thotë, patjetër është kushtetuta, janë ligjet, është rregullorja, por është dhe fryma që unë kam për të mundësuar një komunikim krejt të ri, etik, që njerëzit mos ta shohin parlamentin vetëm nga parada e fotove që bëhet kur hyjnë dhe dalin, ose fjalimeve formale, por të shohin një tribunë ku diskutohet për hallet dhe shqetësimet reale të tyre”, tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post