Drejtuesi politik i qarkut të Vlorës për Partinë Demokratike, Bujar Leskaj, ditën e djeshme zhvilloi një takim me ambasadoren e Republikës franceze në Shqipëri, Elisabeth Barsacq. Ky takim u zhvillua në kuadër të projektit francez mbi pastrimin e Gjirit të Vlorës nga municionet e mbetura të Luftës së Dytë Botërore. Leskaj tha, se ky është takimi i parë si deputet që pas nisjes së sesionit të ri parlamentar teksa falënderoi ambasadoren për prezencën.
“Sot, zhvillova një takim pune në zyrën e deputetit në Vlorë, me ambasadoren e Republikës franceze në Shqipëri, Shkëlqesinë e Saj, znj. Elisabeth Barsacq. Në takim, e falënderova ambasadoren për zbatimin e projektit francez për pastrimin e Gjirit të Vlorës nga municionet e mbetura të Luftës së Dytë Botërore. Ky ishte takimi im i parë si deputet i Vlorës me ambasadoren e njërit prej dy vendeve më të fuqishme në Bashkimin Evropian dhe mik i Shqipërisë, pas fillimit të punimeve të Parlamentit në këtë legjislaturë të re”, tha ai.
Po ashtu, Leskaj e konsideroi takimin me ambasadoren si një ogur të mirë sa i përket punës së opozitës. Ai e falënderoi Barsacq për përkushtimin e saj ndaj Shqipërisë e veçanërisht qytetit të Vlorës. Deputeti po ashtu, deklaroi se gjatë takimit u diskutuan një sërë çështjesh si investimet franceze në vend, mbrojtja e mjedisit si dhe shqetësimet e qytetarëve.
“E falënderova ambasadoren, znj. Barsacq për interesimin e saj të vazhdueshëm e konsekuent për Shqipërinë dhe veçanërisht për qytetin e Vlorës, duke e konsideruar takimin me të si një ogur të mirë për opozitën dhe punën tonë. Përveç projektit të qeverise franceze për pastrimin e gjirit të Vlorës nga municionet e mbetura, diskutuam me një frymë të ngrohtë e konstruktive edhe për çështje të tjera me interes për Vlorën e qytetarët e saj, si investimet franceze në Shqipëri, shtimin e tyre; shtetin e së drejtës, çështjet e mbrojtjes së mjedisit, koordinimin dhe dëgjesën e shqetësimeve të qytetarëve e të shoqatave mjedisore të Vlorës, Shqipërisë, etj”, u shpreh Leskaj.
Diskutime rreth kësaj post