Reciprociteti i vendosur të hënën nga qeveria e Kosovës, mbi targat e automjeteve të cilat hyjnë në territorin e Kosovës vetëm nëse pajisen me targa të përkohshme të Kosovës, ka shtyrë ambasadorët e pesë vendeve të Quintit të kërkonin një takim urgjent me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, zëvendës-shefin e Misionit të Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog”, – njofton Kryeministria.
Zyra për shtyp ka bërë me dije se kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase. Më tej zoti Kurti është treguar i vendosur në lidhje me vendimin e tij, duke ia bërë të qartë ambasadorëve të SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë se në lidhje me vendosjen e reciprocitetit nuk mund të ketë dallime.
Nuk mund të jetë një masë që Serbia ka 10 vite që e aplikon, dhe tani që Kosova vendosi të kërkojë të drejtën e saj, të konsiderohet provokim dhe të kërcënohet nga Serbia me masa ekonomike dhe politike. Kurti shtoi se në reciprocitetin e targave të përkohshme për vetura, ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim.
“Pra, ose do t’i mbajmë ato lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, theksoi ai. Kurti ka sqaruar gjithashtu se prania e forcave policore në veri të Kosovës pranë pikave doganore me Serbinë, është vetëm për arsye të mbajtjes së situatës në kontroll dhe nuk duhet të shihet si kërcënim nga askush.
“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpijnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata”, – tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet. Situata në veri të Kosovës ka vijuar e tensionuar dhe me protesta.
Vuçiç mbledh KSK
Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar ditën e djeshme, presidenti i Serbisë Alkesandar Vuçiç ka mbledhur dje Këshillin e Sigurisë Kombëtare në lidhje me vendimin e Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat. Pas takimit, Vuçiç tha se mori një propozim për zgjidhjen e situatës në vendkalimet kufitare me Kosovën në Jarinje dhe Bërnjak, por që e ka refuzuar.
“Ne kemi arritur në përfundimet se Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë së plotë për serbët në Kosovë. Deklaratat në të cilat na barazojnë dhe thonë se të dy vendet janë fajtore janë të papërshtatshme”, – ka thënë ai.
Vuçiç sqaroi se të hënën ka marrë një propozim nga BE dhe vendet e QUINT-it në lidhje me atë se si mund të zgjidhej e gjitha kjo.
“Unë e refuzova atë sepse nuk është kompromis, por një zgjidhje që do të poshtëronte Serbinë. Shkurt – është një zgjidhje me 70 për qind të asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin”, – ka shtuar ai.
Pas takimit me KSK, Vuçiç deklaroi se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saj “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.
“Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa”, – tha ai. Vuçiç, tha se Serbia kërkon tërheqjen e trupave të cilët ai pretendon se kanë pushtuar veriun e Kosovës. Pavarësisht se paralajmëroi masa, ai tha se Serbia do të vazhdojë të këmbëngulë në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë së popullatës serbe në Kosovë. Presidenti serb ka bërë me dije se Serbia do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Diskutime rreth kësaj post