Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka deklaruar se kreu i PD-së Lulzim Basha, kurrë nuk duhet ta kishte marrë vendimin për përjashtim të ish-kryeministrit Sali Berisha, por duhet të largohej ai vetë nga karrigia.
Ajo është shprehur se Lulzim Basha paraqet rrezikshmëri për jetën politike shqiptare dhe ai duhet larguar.
Më tej Topalli ka theksuar se kryeministri Edi Rama, nuk ikën pa larguar Lulzim Bashën.
“Në gjithë logjikën e gjërave, unë mendoj se Basha, kurrë nuk duhet ta kishte marrë atë vendim të paligjshëm. Të linte karrigen e kryetarit. Duhet të gjykohej nga Këshilli Kombëtar më parë. Basha paraqet rrezikshmëri për jetën politike shqiptare. Ai duhet të largohet dhe ka për t’u larguar. Nuk ikën Edi Rama pa larguar Lulzim Bashën. Kjo është fatkeqësi, kur pushteti kërkohet për interesa personale. Vendimi është marrë për interesat e tij politike, të tjerat janë gënjeshtra, ashtu si edhe kauzat që ai ngrinte”, thotë Topalli në emisionin “Now”.
Topalli ka deklaruar se Basha ishte i lumtur për këtë vendim që mori dhe nëse merrni deklaratat e tij gjatë këtyre viteve, ndodh e kundërta e asaj që thotë.
“Unë e përsëris, Basha ishte shumë i lumtur. Nëse merrni deklaratat e tij gjatë këtyre viteve, prisni që do ndodhi e kundërta e asaj që do të thotë. Ai tha se ishte vendim i vështirë, por nuk është e vërtetë. SHBA ka të drejtën për ta bërë, ta përjashtojë zotin Berisha, por ai vetë jo”, thotë më tej.
Diskutime rreth kësaj post