Ditën e djeshme u njoftua se qeveria “Rama 3” do të krijojë Agjencinë për Media dhe Informim që ka si një nga qëllimet kryesore koordinimin mediatik të ministrive. Drejtori i kësaj agjencie do të jetë dhe Zëdhënësi i Këshillit të Ministrave. Agjencia do të jetë në varësi të Kryeministrit dhe misioni kryesor që ka është informimi i publikut mbi aktivitetet e gjithë qeverisë, si dhe zhvillimi i sondazheve për çështje me interes publik. E thënë ndryshe kjo agjenci do të merret me propagandën e qeverisë dhe do të sigurohet të monitorojë të gjitha mediat e tjera për të parë reagimin e publikut ndaj qeverisë.
Në relacionin e vendimit thuhet se Agjencia për Mediat dhe Informim ka detyrë dhe të koordinojë aktivitetin e gjithë ministrive dhe raportet e tyre me median. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përgjigjet para Kryeministrit dhe përfaqëson agjencinë në marrëdhënie me të tretët. Sipas vendimit të qeverisë, drejtori i kësaj agjencia është njëherazi zëdhënës i qeverisë, statusi i të cilit barazohet me atë të ministrit të shtetit, ndërsa nënpunësit e agjencisë nuk do të kenë privilegjet e statusit të nëpunësit civil.
Nga ana tjetër zëdhënësit e ministrave nuk do të emërohen nga ministrat e tyre, por nga drejtuesi i agjencisë. Këta zëdhënës do të kontrollojnë aktivitetin publik të ministrave, përfshi konferencat për shtyp, pavarësisht se nuk drejtohen prej tyre. Kjo strukturë e re që do të shërbejë si propagandë e Ramës dhe ministrive të tjera, do të financohet nga buxheti i shtetit i cili përbëhet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nëse deri më tani Rama thoshte se “Ertv” paguhej privatisht, për Agjencinë për Media dhe Informim nuk do të jetë kështu, pasi shqiptarët do të paguajnë për propagandën e Ramës.
Diskutime rreth kësaj post