Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur nga Kuvendi për reciprocitetin e vendosur sot për targat e automjeteve. Në seancën e parë të sesionit vjeshtor të Kuvendit, kryeministri Kurti tha se 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht do të duhej të mbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe të ndalohej qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.
Kryeministri Kurti tha se pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë sipas marrëveshjes për lëvizjen e lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfisikimin e të gjitha tabelave ilegale brenda Republikës së Kosovës.
“15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht do të duhej të mbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej qarkullimi i veturave me çfarëdo nga tabelat përveç atyre RKS. Republika e Kosovës nga data 15 shtator 2021, ka ndërprerë dhënien e tabelave KS sepse nga kjo datë këto tabela nuk janë më valide. Pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë sipas marrëveshjes për lëvizjen e lirë, Ministria e Punëve të Brendshme sot ndërmorri veprimet e nevojshme për konfisikimin e të gjitha tabelave ilegale brenda Republikës së Kosovës, sikurse edhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Pavarësisht se çfarë nacionaliteti kanë poseduesit e makinave me tabela jo valide apo po konfiskohen. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme. Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë u pat arritur ne vitin 20211 që u finalizua në Bruksel më 2016. Nga ajo kohë Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet, përfshirë edhe procesin për lehtësimin e regjistrimit të automjeteve. Është kompletuar edhe infrastruktura administrative për lëshimin e dokumenteve të nevojshme për regjistrimin e automjeteve”, tha Kurti.
Ai ka ftuar qytetarët serbë që të vijojnë me ritmin e jetës së tyre, duke shtuar se reciprociteti në fjalë nuk ka për qëllim që të provokojë destabilizim.
“Veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për lëvizje të lirë nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë. Ato në asnjë mënyrë nuk kanë qëllim të cënojnë lëvizjen qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi.
Sikurse dje, sot, por edhe nesër qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm të sigurt dhe të mbrojtur nga ligji. Pres nga të gjithë qytetarët që sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshje për të cilën është pajtuar edhe Serbia me ndihmën e BE-së. Liria e lëvizjes është e drejtë njerëzore e civile por edhe vlerë evropiane. I lus qytetarët serbë të vazhdojnë ritmin pa shteqësime dhe brenga…Barazia për nevë është vlerë që e zbatojmë në praktikë”, shtoi Kurti.
Diskutime rreth kësaj post