Është 73 vjeç, por nuk ka dalë në pension, që prej moshës 17 vjeç punon si orëndreqëse. Liljana Gjergji hap çdo ditë dyqani rreth orës 9. Është e vetmja orëndreqëse profesioniste grua në Vlorë dhe është mirë me shëndet.
“Paradite punoj nja 4 orë, pasdite punoj prapë 3 orë. 7 orë në ditë vij në punë. Sytë i kam të fortë, bëj orë mekanike. Kjo është gjermane e 1964 e pastrova dhe riparova. Është orë e vjetër shumë. Bëra kurs dy vjet dhe pastaj hodha kategorinë, mora të parën, pas 4 vjetësh mora kategorinë e dytë. Kam vazhduar njëherë në 4 vjet merrja kategoritë, deri në vitin 1991 që kaluam privat. Kam vazhduar dhe nuk e kam lënë punën asnjëherë”, ka thënë ajo.
Mjetet e vjetra të punës i ka mirëmbajtur dhe pak besim ka tek ato që prodhohen në kohët e sotme.
“Të asaj kohe janë që nga lentja, dhe çelsi që hapa shagaji, që kur ishim të lidhur me kinën, kalibri i Korçës. Këto janë të gjitha veglat e para, të rralla janë ato vegla që kam marrë tani”, shprehet orëndreqësja.
Thotë se në Vlorë ka pak orëndreqës profesionistë.
“Jemi drejt falimentimit. Janë 3 orëndreqësa që kanë ngelur tek xhamia, një është në Skelë, 4 dmth dhe unë pesë. Atëherë kishin dhe fshatrat, ishte Dhori Manua në Novoselë, ishte Ylli Deraj në Selenicë. Kishte interesim kurse tani s’ka më në qytet jo më në fshat. Këtë që sheh nëpër rrugë janë të rinj vetëm orët me bateri bëjnë, ato mekanike nuk I bëjnë ju thonë s’kemi vaj. S’dinë ti bëjnë. Ato me bateri sa do zgjasin. Klienti ka nevojë dhe për orë mekanike se e blejnë të shtrenjtë dhe duhet riparuar”, thekson ndër të tjera ajo.
Për fat të keq është një profesion që vitet e fundit ka pak interes nga të rinjtë dhe po shkon drejt zhdukjes.
“Të rinjtë nuk duan e kanë mendjen vetëm për makina dhe të dalin. Ne u mësuam me punë dhe fillonim që 17 vjec-18 vjeç. Tani njerëzit janë bërë dembela. Femrat e kanë mendje tek parukeria cunat kam 53 vjet që punoj nuk pashë ndonjë prind që të thonë kemi dëshirë që vajza ose cunin të mësojë këtë zanat. Është dhe inisiativa e prindërve”.
Gjergji flet me nostagji për mësuesit e saj të parë.
“Në 1968 që fillova kemi qenë 6 veta u futa nga femrat e para. Më ka mësuar usta Niko Çekrezi ka qënë i moshuar, për katër vite mësova me të. Më pas ai doli në pension, më pas mësova me djemtë e tij dhe më ustallarë të tjerë”, ka thënë Liljana.
Vetë ka mbi 5 dekada që punon si orëndreqëse. Duket zemërthyer që zanatin nuk e trashëgoi.
“Mora nipin qëndroi një vit dhe nuk qëndroi më se donte lëvizje. Kurse unë jam e perqëndruar. Puna do përqendrim”.
Video:
Diskutime rreth kësaj post