Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka folur për takimet e fundit me kreun e SPAK. Ajo tha se SPAK vazhdon të tregojë rezultate. Ambasadorja u shpreh se është habitur pa masë kur kërkoi informacione dhe mësoi, p se që kur SPAK u ngrit në vitin 2019 e deri në ditën e fundit të gushtit 2021, ka konfiskuar 70 milionë euro asete të personave që janë dënuar dhe gjykatat e kanë konfirmuar këtë dhe këto asete i kanë kaluar shtetit, ashtu siç duhet.
Pjesë nga intervista:
Zëri i Amerikës: Javën e shkuar, madje dhe para pak ditësh, ju takuat kreun e SPAK, dhe u shprehët se nënvizuat “pritshmërinë e SHBA që SPAK do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar – pavarësisht sa i fuqishëm apo i pasur, pavarësisht se cila parti”. A janë pritshmëritë tuaja më të larta tani, kur në krah të SPAK është reshtuar dhe BKH?
Ambasadorja Kim: Nuk mendoj se kanë rëndësi pritshmëritë e mia. Sigurisht, investimi i SHBA ka rëndësi dhe fakti që vazhdojmë të investojmë tek SPAK dhe BKH është një tregues i asaj që shpresojmë të marrim si rezultat. Por pritshmëritë që vërtetë kanë rëndësi janë ato të popullit shqiptar. Nëse mendojmë se ku ishim një vit më parë, njerëzit talleshin me SPAK, e dini, i mbaj mend shakatë dhe karikaturat me S’KAP. Tani, një vit më pas, teksa SPAK ka treguar rezultate, perceptimi i njerëzve ka ndryshuar dhe cilido tani thotë, nëse ka diçka që nuk shkon, do të të raportoj në SPAK. Për mua, kjo tregon se ata besojnë që SPAK është i efektshëm. Dhe në fakt, të dhënat tregojnë që është ashtu.
U habita pa masë kur kërkova ca informacione dhe mësova, për shembull, se që kur SPAK u ngrit në vitin 2019 e deri në ditën e fundit të gushtit 2021, ka konfiskuar 70 milionë euro asete të personave që janë dënuar dhe gjykatat e kanë konfirmuar këtë dhe këto asete i kanë kaluar shtetit, ashtu siç duhet. 70 milionë euro në një vit e gjysmë. Krahasojeni këtë, hamendësoni, gjejeni se sa u konfiskua për periudhën 2011 deri 2019 – 20 milionë euro. Mendoj se është diçka që tregon shumë. Do t’ju them edhe që gjatë vitit kur ka funksionuar SPAK, kanë shqyrtuar 7-800 çështje dhe i kanë përpunuar ato; ka pasur rreth 250 individë të dënuar dhe kur shikon nivelin e dënimeve, është mbresëlënëse: 90% e rasteve që SPAK ka ndjekur çojnë në dënime, goxha mirë. Dhe pritshmëria ime është që me BKH-në, që tani ka marrë në punë gjysmën e 60 hetuesve që kërkojnë, kapacitetet e SPAK do të rriten edhe më tej. Dhe, gjithmonë them për reformën në drejtësi – nuk është e lehtë, e shpejtë, apo e përkryer, por sigurisht po shohim rezultate dhe mendoj që njerëzit e zakonshëm po shohin rezultate. Mendoj se edhe më shumë do të vijnë.
Zëri i Amerikës: Cila është ndihma konkrete që BKH po merr nga Shtetet e Bashkuara?
Ambasadorja Kim: Deri tani, kemi kontribuar më shumë se 4 milionë dollarë në trajnime dhe pajisje. Mbështetja më e madhe sigurisht është me ekspertizë dhe ka të paktën 2 ose 3 ish-agjentë të FBI-së, ekspertë të vërtetë që kanë përvojë dhe eekspertizë praktike, që janë këtu, të lidhur me ambasadën dhe po ndihmojnë hetuesit e rinj të FBI-së, që të zhvillojnë të njëjtat shprehi, që të mund të jenë agresivë, dhe që të jenë të aftë të kryejnë funksionet e tyre.
Diskutime rreth kësaj post