Sekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme Gjermane, Miguel Berger dje në një intervistë për Deutsche Welle foli rreth Bashkimit Europian dhe negociatat për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Berger u shpreh se Bashkimi Europian është duke bërë shumë për Ballkanin Perëndimor edhe pse ka pak zhgënjim në të. Sekretari tha se BE duhet të jetë më e qartë dhe serioze sa i përket rrugës së Ballkanit drejt saj. Sipas tij, është e rëndësishme që si fillim negociatat e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të nisin sa më parë.
“BE-ja po bën shumë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, ajo është dhe do të mbetet partnerja më e afërt dhe më e besueshme e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ka njëfarë zhgënjimi, por gjatë udhëtimit tim në rajon përjetova edhe një afrim dhe një interes të madh për BE-në. Por ne, domethënë BE-ja, duhet ta bëjë të qartë se e marrim seriozisht rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt saj. Kjo është arsyeja se përse është kaq e rëndësishme që negociatat e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”, – u shpreh Berger.
Sekretari i Shtetit po ashtu u ndal edhe tek Procesi i Berlinit. Ai tha se me mbështetjen e BE, 6 vendet kanë bërë shumë përparime. Sipas Berger, rëndësi ka që bashkëpunimi të jetë gjithëpërfshirës dhe të zhvillohen nisma të reja.
“Ne duam forcim të qëndrueshëm të bashkëpunimit midis të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal janë bërë shumë përparime në gjashtëshe edhe me mbështetjen e BE-së. Është e rëndësishme që bashkëpunimi rajonal të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këtë kam parasysh zhvillimin e ideve dhe nismave të reja si edhe zbatimin e tyre. Kjo është një qasje, për të cilën janë zotuar pjesëmarrësit në “Procesin e Berlinit” dhe të cilën e promovon edhe BE”, – tha ai.
Diskutime rreth kësaj post