Kolegji i Kryetarëve të Partisë Demokratike nuk i shkakton kokëçarje Bashës për vendimin që mori për Sali Berishën. Pas deklaratave të ish-Kryeministrit se ai do të ndiqte rrugë statutore për të rivendosur sovranitetin e PD-së, apo edhe të zhvillonte një tur takimesh me demokratët në të gjithë Shqipërinë, kreu i selisë blu, kërkoi këtë mbledhje me qëllimin, për të shpjeguar arsyet që e cuan atë, të përjashtonte Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së.
Sipas burimeve, Lulzim Basha ka thënë përpara kryetarëve të degëve të PD-së, se ky ka qenë një vendim i detyruar për të, për të mirën e Partisë Demokratike dhe të ardhmes së saj. Ai ka shprehur përpara Kolegjit të Kryetarëve vlerësimin për doktor Berishën dhe se ky vendim për të ka qenë shumë i vështirë.
Nga mbi 70-të kryetarë degësh të PD-së, dy kanë qenë ata të cilët i kanë kërkuar Bashës të zbresë ne terren dhe të sqaroje anetaresine per vendimin e marre. Këta ishin kreu i PD Gjirokastër Dashnor Aliko, si dhe kreu i PD Mirëditë, Mark Ruçi. Ndërsa kryetarët e degëve të tjera nuk kanë reaguar ndaj vendimit të Bashës.
A mund të lexohet heshtja e tyre si miratim ndaj përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD-së?
Kryetari i PD Durrës Ferdinand Xhaferraj tha pas mbledhjes përpara mediave se ky vendim që është marrë për të eleminuar kostot afatgjata që mund të binin mbi Partinë Demokratike.
“Është vendimi më i vështirë i kësaj partie. Çfarëdo lloj vendimi do të kishte kostot e veta. Vendimi u mor në limite kohore. Është një nga vendimet që merr parasysh eliminimin e kostove afatgjata të Partisë Demokratike që do të thotë vazhdimin për një kohë të gjatë të kësaj qeverisjeje”- tha ai.
Përveç se duhet të drejtojë aksionin opozitar ndaj Kryeministrit Rama, Lulzim Bashës tashmë i duhet të merret edhe me Sali Berishën, ku detyrë kryesore e tij tashmë është të mbajë të bashkuar Partinë Demokratike.
Diskutime rreth kësaj post