Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Al Jazeera është shprehur se i qëndron idesë kundër shkëmbimit të territoreve. Kurti ka thënë se ajo nuk është një zgjidhje dhe se do të dërgonte rajonin në një konflikt të ri.
“Nuk do të ishte një zgjidhje. Do t’i bënte gjërat edhe më keq. Unë dua zgjidhje demokratike dhe paqësore. Dhe shkëmbimi i territoreve është një shteg që na kthen prapa tek konflitket e 90-ave, dhe s’do të mbetet vetëm në mes të raporteve të Kosovës dhe Serbisë, por do të shpërndahej në gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka shtuar se projekti i shkëmbimit të territoreve është i vdekur por ideja ende jo. Kurti ka thënë se një ide të tillë e mban të gjallë Beogradi.
“Nuk e pëlqej këtë mënyrë të bërit politikë, kur presidentët apo kryeministrat mendojnë se janë mbretër të mesjetës, kur konsiderojnë që territori shtetit është territor privat dhe shtetin e shohin si shtëpinë e tyre. Kundërshtoj këtë model, që do t’i bënte gjërat edhe më keq. Projekti i shkëmbimit ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur dhe është shumë e gjallë në Beograd, sepse të gjithë fqinjët e Beogradit që s’janë të integruar në BE, fatkeqsisht nga Beogradi shihen si shtete të përkohshme. Dhe duke imituar Rusinë, Serbia dëshiron të forcojë faktorët e saj tek fqinjët, për t’i bërë këto shtete jofunksionale dhe t’i kthej ato në shtete të dështuara. Por s’kanë shansë me Kosovën. Kosova e pavarur është këtu për të qëndruar. Ne po bëhemi më të fortë, me institucione funksionale dhe po dalim nga kriza ekonomike e po lëvizimi përpara drejt perëndimit gjë që s’është vënë në pikëpyetje asnjëherë dhe aspirojmë të anëtarësohemi në BE dhe NATO”, ka thënë ai.
Diskutime rreth kësaj post