Analisti Ben Andoni komentoi dje vendimin e fortë të marrë nga kryedemokrati Lulzim Basha, i cili përjashtoi ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Teksa ishte i ftuar dje në një studio televizive, analisti Andoni u shpreh i bindur se largimi nga PD e gjeti të papërgatitur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kjo sipas tij, tregon se ai e ka humbur nuhatjen politike. Madje, zoti Andoni theksoi se lëvizja që ka paralajmëruar Berisha nuk mund të çohet në fund prej tij.
“Në politikë presionet nuk tregohen, por ndihen. Deklaratat e zotit Berisha janë pak të lodhura. Marrja e madhe me këtë temë na penalizon edhe ne gazetarëve. Një gjë shqetësuese: e kam vlerësuar zotin Berisha në momente të veçanta dhe kam qenë i zhgënjyer në kohën e embargos dhe në ‘97. Zoti Berisha ka humbur një element kryesor që është nuhatja politike. Një politikani të rangut të tij nuk mund t’i falet. Mjafton të shohësh atë që ndodhi me zotin Basha dhe kupton që ai ishte jashtë PD. Berisha thotë se kjo është vdekje e PD. Nuk mund të flasësh për vdekje sepse atëherë nuk ke për çfarë flet tjetër. Mendoj se Berisha duhej të bënte një tërheqje dinjitoze shumë kohë para se të vinte verdikti i Shteteve të Bashkuara. Të ngresh një lëvizje duhet energji, kohë dhe mosha, që Berisha nuk i ka”, deklaroi Andoni.
Nga ana tjetër, edhe gazetari Agim Baçi ka komentuar lëvizjen e papritur në Partinë Demokratike, ku kreu i saj Lulzim Basha ka përjashtuar nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë një prononcimi për mediat, Baçi theksoi dje se Berisha duhet të ishte larguar më parë, kështu sipas tij, Basha dhe Partia Demokratike nuk do të shkonte në këtë pikë.
“Sali Berisha mund ta kishte shmangur vetë, ta linte PD të udhëtonte edhe pa praninë e tij. Por ai ka treguar se ka adrenalinë politike. Dhe hija e Berishës ka qenë aty, ku i janë drejtuar njerëz si Patozi apo Topalli, të gjithë janë drejtuar nga Berisha për të mbajtur qëndrim”, deklaroi Baçi.
Diskutime rreth kësaj post